Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, respekton Tiranën, por ka bërë të qartë se skuadra e tij synon që tashmë të mos bëjë më hapa të gabuar dhe të kërkojë vetëm suksese në vijimin e sezonit.
Duke folur në konferencën për mediat para takimit, tekniku i rrogozhinasve theksoi se kishte ekipin në gjendje optimale dhe se tashmë i kishte dhënë fund periudhës së tranzicionit të lojtarëve. Gjithsesi, ai nuk ngurroi të shprehte edhe një dëshirë të fundit për merkaton e janarit.
“Ekipi është i plotë, mungon vetëm Uotlai, nga dëmtimi i ndeshjes me Laçin. Pjesa tjetër e skuadrës është e plotë, gjendja e skuadrës ka qenë shumë e mirë gjatë kësaj kohe.
Sigurisht luajmë ndaj Tiranës, një ndeshje që ka vlerat e veta. Luajmë ndaj një ekipi të titulluar, por ne do të kërkojmë maksimumin nga ndeshja e nesërme. Trajneri Magani është një figurë e trajningut në Shqipëri. Është një ndeshje radhe. Duke e vlerësuar, mendojmë të marrim maksimumin.
Merkato? Mendoj që jam i kënaqur, prurjet janë cilësore. Përveç Fernandos që ka qenë edhe më parë, mendoj që edhe prurjet e tjera janë efektive për ekipin.
Rivalë për titullin? Për derisa janë pikët në lojë, mendoj se të gjitha skuadrat, që nga vendi i 6 janë në loijë për ta fituar.
Mendoj se kemi kaluar një periudhë tranzicioni lojtarësh dhe çdo gjë do kohën e vet. Mendoj se ajo kohë ka ikur me vitin që u mbyll dhe kemi një ecuri pozitive në pjesën e mbetur të sezonit. Presion nuk mendoj që kemi apo që ndjejmë, mendoj vetëm për vazhdimësinë për të parë më lart në renditje.
Një dëshirë në merkato? Organika, grupi është, lojtarët janë. Të gjithë jemi të fokusuar te puna, por oshilacione më shumë gjatë fazave të para, kemi pasur në sulm. Ndaj veçim do të bëja vetëm për një sulmues”, tha Tetova para mediave.
