Aktualitet

“Lufra”-“Erzeni” kërcënim për sigurinë ushqimore, si qumështi i blegtorëve po zëvendësohet me qumësht pluhur e vaj palme

Mafia e qumështit mbush shishet me vaj palme dhe qumësht pluhur

Shëndeti i një kombi nuk mund të mbështetet mbi qumësht pluhur dhe etiketa të rreme. Fëmijët ushqehen me përbërje të rrezikshme, ndërsa institucionet marrin rolin e spektatorit dhe mbushin xhepat e mafies së qumështit me fondet e BE.

“Lufra” dhe “Erzeni” janë kthyer në një kërcënim për sigurinë ushqimore në vend. Dy kompanitë kryesore të bulmetit kanë zaptuar tregun, por cilësia lë shumë për të dëshiruar.Ishte deputeti i PS, Erion Braçe, ai që denoncoi  një skandal me kompaninë “Lufra”. Ai ka publikuar denoncimin e një fermeri nga zona e Myzeqesë i cili është në prag të falimentit për shkak të praktikave “hileqare” të kompanisë së përpunimit të qumështit, Lufra.Në një mesazh drejtuar Braçes, fermeri akuzon kompaninë se po i “shkatërron” me strategji. Konkretisht, pasi fillimisht uli ndjeshëm çmimin e grumbullimit të qumështit, sipas tij kompania Lufra tashmë ka nxjerrë si justifikim praninë e aflatoksinës për të refuzuar produktin e tyre.

Vetë “Lufra” ka reaguar duke dashur të justifkohet se po ruan shëndetin e konsumatorëve: “Bashkëpunimi me fermerët vendas ka qenë dhe mbetet një vlerë themelore për ne. Çdo ditë punojmë me ta për të garantuar që qumështi të përmbushë standardet ligjore dhe ato europiane të cilësisë dhe sigurisë. Çdo vendim për mospranimin e përkohshëm të qumështit për disa nga fermerët bazohet vetëm në analiza laboratorike dhe kryhet për të mbrojtur konsumatorin. Sapo kriteret e sigurisë plotësohen, qumështi pranohet menjëherë. Qëllimi ynë është një zinxhir furnizimi i sigurt, i qëndrueshëm dhe në përputhje me ligjin në interes të fermerëve, kompanisë dhe mbi të gjitha të konsumatorëve”.

 “Kartoni i parë i kuq” nga hetimi i Autoritetit të Konkurrencës për importet

Si “Lufra” ashtu dhe “Erzeni” ,Gjirofarm dhe Shaka Boboshticë e shumë kompani të tjera, dalin më me fitim nëse flitet se mbushin shishet me vaj palme dhe qumësht pluhur, sesa të marrin qumështin e blegtorëve. Pak kohë më parë Autoriteti i Konkurrencës kreu një hetim për tregun e qumështit, pasi pati një rritje të ndjeshme të çmimit. Konkurrenca nuk gjeti shkelje në këtë aspekt, por u zbulua një element tjetër edhe më alarmant.Kompanitë kanë ulur çmimin e blerjes së qumështit nga fermerët, ndërkohë që çmimi përfundimtar në tregun me pakicë është rritur ndjeshëm.

Kjo përmbysje e raporteve midis prodhuesve dhe konsumatorëve shihet si për tregun e qumështit në Shqipëri, pasi tregon një disbalancë serioze midis atyre që prodhojnë dhe atyre që paguajnë më shumë për produktin në treg.Gjatë hetimit, Autoriteti ka evidentuar edhe një rritje të madhe të importeve të qumështit, sidomos nga kompania Erzeni sh.p.k., e cila ka shtuar ndjeshëm sasinë e importuar gjatë vitit 2024, ndërsa Lufra ka ndjekur të njëjtin trend, por në një shkallë më të ulët.

Bie numri i lopëve, zëvëndësohet me qumështin pluhur dhe vaj palme

Të dhënat e INSTAT të konsultuara konfirmojnë se gjatë 2024 në vend u numëruan 224 302 krerë lopë nga 342 683 në vitin 2018. Vetëm gjatë viteve 2021–2023, numri i lopëve u ul me rreth 45 mijë. Kjo ka bërë që prodhimi i qumështit të lopës të zbresë në 745 mijë litra, nga 964 mijë litra që ishin 10 vite më parë.Prodhimi vendas i qumështit në Shqipëri është në rënie të vazhdueshme, ndërsa në mënyrë paradoksale po rritet importi i qumështit pluhur dhe vajit të palmës, të cilat përdoren në industrinë ushqimore si zëvendësues të produkteve natyrale.

Të dhënat e INSTAT për vitin 2024 tregojnë se në territorin shqiptar janë grumbulluar rreth 95 mijë tonë qumësht, me një rënie prej 6.6% krahasuar me vitin pararendës.Rënia më e ndjeshme është shënuar tek qumështi i deles me 9.7%, ndërsa qumështi i lopës, që zë pjesën më të madhe të prodhimit, ka rënë me 6.5%. Paralelisht, ka rënë ndjeshëm edhe prodhimi i djathit dhe gjalpit, duke reflektuar pasojat direkte të kësaj tkurrjeje.Ndërkohë importi i qumështit pluhur është rritur me 15% gjatë periudhës janar-prill 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.Mësohet se gjatë kësaj periudhe shqiptarët konsumuan 200 mijë kg qumësht pluhur dhe pjesa dërrmuese e kësaj sasia është importuar nga kompanitë Super Milk; LUFRA; AD SH-2014; ELKA SA; Alta Group, etj.

Alta Group dhe ELKA SA janë ndër kompanitë më të mëdha të përdorimit të qumështit pluhur në prodhimet e ushqimeve, ndërkohë që LUFRA prodhon qumësht dhe nënproduktet e tij.Një tjetër alarmant është përdorimi i vajit të palmës, i cili ka zëvendësuar yndyrnat shtazore në shumë produkte ushqimore. Shqipëria importon rreth 3 mijë ton vaj palme në vit, kundrejt vetëm 380 tonëve në 2014. Megjithëse konsiderohet i dëmshëm për shëndetin, ai përdoret masivisht në bulmet, brumëra dhe ëmbëlsira.Pra duket qartë se kompanitë e qumështit dhe shumë të tjerë e kanë më kollaj të shesin vaj palme dhe qumësh pluhur, sesa qumësht të marrë nga lopët.

 Importi i bulmetit prek nivelin më të lartë

Importi i produkteve të bulmetit, vezëve dhe mjaltit ka arritur nivelin më të lartë historik gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, duke konfirmuar varësinë në rritje të tregut shqiptar nga furnizimet e huaja për produktet bazë ushqimore.

Lufra përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

Fondet e akorduara nga Bashkimi Evropian dhe taksapaguesit shqiptarë për bujqësinë kanë përfunduar në duart e bosëve të krimit dhe drogës, oligarkëve, sekserëve, por edhe të biznesmenëve që mashtrojnë me qumështin dhe nënproduket e tij, ndërsa fermerët e vërtetë kanë mbetur duarbosh.Kjo është arsyeja se pse Brukseli njoftoi Shqipërinë për ndërprerjen e këtyre fondeve, pas një raporti të Zyrës Europiane kundër Mashtrimit, OLAF, institucion që heton dyshimet për abuzime me fondet e Bashkimit Europian. Nga fondet për bujqësinë ka përfituar rreth 800 mijë euro ka përfituar kompania  Lufra nga fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë. Rreth 600 mijë euro ka përfituar nga buxheti i shtetit.