Luis Meçja, shoku i të ndjerit Martin Cani, është nisur për kurim të specializuar drejt Italisë rreth orës 06.00 të mëngjesit.
Në një intervistë të dhënë për Top Channel në ambientet e airoportit “Nënë Tereza”, familja e Luisit i është mirënjohës çdo shqiptari që kontribuan nëpërmjet llogarisë “GoFoundme”, e cila u hap nga vetë ata për të përballuar shenzimet e trajtimit jashtë shteti.
Ëndrra e tyre dhe e Luisit është që ai t’i rikthehet sportit dhe këtë gjë mjekët në Shqipëri nuk ia garantuan.
“E di çfarë ka thënë spitali por që ata nuk më dhanë garanci as firmosën që djali mund ti rikthehet sportit. Ndaj dua të qetësohem me një trajtim më të mirë. Se djali ka pasion futbollin. Si çdo prind do përpiqej për fëmijën e tij!”, thotë i ati i Luisit, Fiqiri Meçja.
Ndërkohë, hetimi i policisë mbetet akoma i pazbardhur. Familja e të ndjerit dhe e Luisit bëjnë thirrje për zbardhjen e plotë të konfliktit të ndodhur pranë ambienteve të shkollës “Fan Noli”, ndërsa Luisi i qëndron deri në fund deklaratës së tij për përfshirjen e një autori të dytë në sherr i cili gjithashtu ka qëlluar me thikë.
“Pres përfundimin e hetimit. Nuk mund të arrijmë në konkluzione. Më tha babi i Martinit që e ka si djalin e tij”, shton ai.
Gjithashtu familja Meçe ka bërë me dije se kanë kryer një ekspertizë mjeko-ligjore private në mënyrë verfikimin e një tjetër autori të përfshirë në ngjarje përveç Mario Përlleshaj. Babai i Luisit tregon që autoritetet kanë treguar vetëm pamjet e momentit që fëmijët kanë dalë nga shkolla dhe jo ato gjatë konfliktit.
“Kemi bërë ekspertizë private mjeko ligjore. Na kanë treguar pamjet vetëm kur dalin fëmijët, jo kur ka ndodhur”.