Kulturë

Luiza Xhuvani tregon pjesë nga kalavri i njeriut me “biografi të keqe”: Më dukej ëndërr që po studioja për aktore

Luiza Xhuvani, aktorja e njohur shqiptare, njëherësh ish-deputete e dorëhequr, pak vite më parë, vijon ende aktivitetin skenik.

Paçka disa goditjeve të rënda në jetën private, ku e fundit qe ndarja nga jeta e bashkëshortit të saj, regjisorit të njohur Gjergj Xhuvani, ajo nuk e ka ndërprerë raportin e saj me skenën, që është në fakt më shumë se profesion për të, identiteti bazë i saj jetësor.

Megjithatë, ajo u ka qëndruar larg mediave.

Në një rrëfim të disa kohëve më parë, Xhuvani ka zbuluar se në fakt ajo sot do të ishte një mjeke ose inxhiniere, por për shkak të biografisë së keqe e cila në kohën e diktaturës i kufizonte të rinjtë të studionin, u bë aktore.

“Shkak që jam sot aktore, në mënyrë paradoksale, m’u bë edhe biografia. Kam jetuar e ndarë nga im atë, kam jetuar vetëm me nënën. E kam ndier mungesën e tij fizike, por jo atë shpirtërore. Kam gëzuar mbiemrin e tij. Për fatin tim të keq, vëllai i tim eti, dikur partizan, është pushkatuar nga regjimi komunist.

Mbase do të kisha dashur të vijoja për një degë tjetër, Mjekësi apo Inxhinieri, por e vetmja mënyrë ishte të konkurroja dhe të gjitha të tjerat do të më ishin refuzuar.

Konkurrova, fitova… Më kujtohen dy anëtarë jurie që më pas u bënë pedagogët e mi, Timo Flloko dhe Skënder Plasari.

Më kanë shoqëruar me shumë dashuri ato kohë e deri në vitet që flasim. I kam bërë studimet në vitet ’82­-’86.

Megjithëse kohë shumë e vështirë për ne që ishim konviktorë dhe që mua vazhdonte të më përmendej historia e biografisë, por përsëri them që kanë qenë 4 vitet më të bukura të jetës sime.
Më dukej ëndërr që po studioja për aktore, ishte fat shumë i mirë.

Një student, që të funksionojë, duhet të adhurojë pedagogët e vet dhe unë e pata këtë fat; ata ishin Timo Flloko, Drita Pelinku, Vera Zheji dhe Kadri Rroshi”, u pati shprehur Luiza Xhuvani./

I pyetur nga Jean Louis Perrier se përse zgjodhi veprën e Viktor Hygoit, “Lukrecia Borxhia”, për ta vënë në skenën e Teatrit Kombëtar Shqiptar, regjisori francez Eric Vigner ishte i prerë: “Aktorja Luiza Xhuvani!”.

Bashkëpunimi mes të dyve ka nisur më shumë se 10 vite më parë, kur i njëjti regjisor vuri në skenën shqiptare “Berberin e Seviljes”, Xhuvani interpretonte Rozinën.

“Kisha dëshirë të punoja përsëri me të, e konceptova ‘Lukrecian’ për të. Unë bëj teatër për një aktor apo aktore: ‘Savannah Bay’ të Duras, për Catherine Samie… Pjesën ‘Où boivent lesvaches’ të Dubillard, për Micha Lescot.