Në një bisedë të ndjerë me Stenaldon, Luizi ka ndarë publikisht një rrëfim të fortë personal, duke folur hapur për vetminë, depresionin dhe humbjen e shpresës që e shoqëruan për një periudhë të gjatë të jetës së tij.
Gjatë bisedës, e cila u shoqërua me emocione të forta, Stenaldo u shpreh se Luizi i kishte rikthyer buzëqeshjen, ndërsa vetë Luizi tregoi se sot është baba në moshën 38-vjeçare, por vetëm një vit më parë ndodhej në një gjendje të rëndë psikologjike.
Ai rrëfeu se në moshën 37-vjeçare kishte humbur shpresat për të ndërtuar një familje dhe se ndjente se nuk do të mund të ishte kurrë një shembull për një fëmijë.
“Unë 38 vjeç u bëra baba. Kur isha 37, i kisha humbur shpresat. Mendoja se nuk kishte njeri për mua, se nuk do të kisha kurrë familje dhe se nuk do të isha kurrë një shembull për fëmijën tim,” u shpreh ai.
Sipas Luizit, vetmia ishte kthyer në një mënyrë jetese, por edhe në një barrë të rëndë emocionale. Ai theksoi se izolimi e çoi gradualisht drejt depresionit dhe stresit, deri në një pikë shumë kritike për shëndetin e tij mendor.
“Kam jetuar vetëm dhe vetmia nuk ka gjë më të keqe. Në vetmi kalon gjithçka – depresion, stres. Kam tentuar të bëj edhe budallallëqe. Kam tentuar një budallallëk shumë të rëndë,” tha ai, duke iu referuar një momenti ekstrem në jetën e tij.
Luizi shtoi se pas kalimit të asaj faze, njeriu rrezikon të ftohet emocionalisht dhe të humbasë ndjeshmërinë ndaj jetës dhe botës përreth.
“Arrin në një pikë ku thua: ‘Nëse kësaj bote nuk i intereson për mua, pse duhet të më interesojë mua për të?’,” u shpreh ai.
Sipas tij, ajo periudhë ishte pika më kritike e jetës së tij, por njëkohësisht edhe momenti ku u përball me zgjedhjen më të rëndësishme personale.
Rrëfimi i Luizit është pritur me ndjeshmëri nga publiku, duke rikthyer vëmendjen te rëndësia e shëndetit mendor dhe mesazhi se edhe pas periudhave më të errëta, jeta mund të marrë një kthesë pozitive.