52 kilogramë luleshtrydhe të importuara nga Greqia ka rezultuar me përmbajte pesticidesh tej normave të lejuara. Për këtë arsye AKU ka ngritur alarmin për ndalimin e shitjes së këtij produkti. Por nga vëzhgimi në terren, operatori i Bizmesit Ushqimor ka deklaruar se në bazë të faturave, 52 kilogramët e luleshtrydheve rezultojnë të jenë shitur.
Nisur nga kjo situatë, AKU-ja ka bllokuar importin e luleshtrydheve nga Greqia, duke e kategorizuar atë me rrezik të lartë. Të gjitha këto produkete që do të vijnë nga Greqia nuk mund të dalin në treg pa përfunduar analizimi i tyre.
“Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, bën me dije se për çdo rast të konstatuar (në treg apo në Pikat e Inspektimit Kufitar), të rezultuar jo-konform kërkesave dhe standardeve me legjislacionin në fuqi për produkte të importit, njoftohet Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë – RASFF.
Lidhur me rastin e produktit Luleshtrydhe të një sasie prej 52 kg, të importuar nga Shteti i Greqisë, AKU në bazë të Planit të Monitorimit me Bazë Risku zbatoi procedurën e dërgimit në datën 17 shkurt 2025 për analizim laboratorik dhe pas daljes së rezultatit u angazhua nëpërmjet sistemit të gjurmueshmërisë për mbledhjen dhe tërheqjen nga tregu të kësaj sasie luleshtrydhe. Në bazë të faturave të shitjes të paraqitura nga Operatori i Biznesit Ushqimor e gjithë sasia rezultonte e shitur.
Menjëherë pas këtij rasti, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë vlerësim të riskut për këtë produkt dhe e ka kategorizuar me risk të lartë.
Për këtë, është komunikuar me të gjitha Pikat e Inspektimit Kufitar, për mostrimin e 10 ngarkesave të njëpasnjëshme dhe bllokimin në kufi të çdo ngarkese me luleshtrydhe, deri në daljen e përgjigjes së analizave të çdo mostrimi për produktin që mund të vijojë të importohet nga Greqia.
Synimi i urdhërimit për bllokime të tilla në PIK është që të pritet cdo rezultat analize e mostrimeve në të tilla raste. Në bazë të këtyre rezultateve do të përcaktohet nëse importet do të lejohen për tregtim brenda territorit shqiptar apo do të kthehen në vendin e origjinës”, njofton AKU.