Kronikë

Luleshtrydhe me pesticide nga Greqia, AKU: Nuk ka asnjë rrezik për konsumatorin, 52 kilogramët rezultojnë të shitura të gjitha

52 kilogramë luleshtrydhe të importuara nga Greqia ka rezultuar me përmbajte pesticidesh tej normave të lejuara. Për këtë arsye AKU ka ngritur alarmin për ndalimin e shitjes së këtij produkti. Por nga vëzhgimi në terren, operatori i Bizmesit Ushqimor ka deklaruar se në bazë të faturave, 52 kilogramët e luleshtrydheve rezultojnë të jenë shitur.

Nisur nga kjo situatë, AKU-ja ka bllokuar importin e luleshtrydheve nga Greqia, duke e kategorizuar atë me rrezik të lartë. Të gjitha këto produkete që do të vijnë nga Greqia nuk mund të dalin në treg pa përfunduar analizimi i tyre.

Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, bën me dije se për çdo rast të konstatuar (në treg apo në Pikat e Inspektimit Kufitar), të rezultuar jo-konform kërkesave dhe standardeve me legjislacionin në fuqi për produkte të importit, njoftohet Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë – RASFF.

Lidhur me rastin e produktit Luleshtrydhe të një sasie prej 52 kg, të importuar nga Shteti i Greqisë, AKU në bazë të Planit të Monitorimit me Bazë Risku zbatoi procedurën e dërgimit në datën 17 shkurt 2025 për analizim laboratorik dhe pas daljes së rezultatit u angazhua nëpërmjet sistemit të gjurmueshmërisë për mbledhjen dhe tërheqjen nga tregu të kësaj sasie luleshtrydhe. Në bazë të faturave të shitjes të paraqitura nga Operatori i Biznesit Ushqimor e gjithë sasia rezultonte e shitur.

Menjëherë pas këtij rasti, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë vlerësim të riskut për këtë produkt dhe e ka kategorizuar me risk të lartë.

Për këtë, është komunikuar me të gjitha Pikat e Inspektimit Kufitar, për mostrimin e 10 ngarkesave të njëpasnjëshme dhe bllokimin në kufi të çdo ngarkese me luleshtrydhe, deri në daljen e përgjigjes së analizave të çdo mostrimi për produktin që mund të vijojë të importohet nga Greqia.

Synimi i urdhërimit për bllokime të tilla në PIK është që të pritet cdo rezultat analize e mostrimeve në të tilla raste. Në bazë të këtyre rezultateve do të përcaktohet nëse importet do të lejohen për tregtim brenda territorit shqiptar apo do të kthehen në vendin e origjinës”, njofton AKU.