Aktualitet

Mafia e territorit/ Orlanda Karamuço drejtoreshë e AZHT, ‘ProGeen’ shpk e bashkëshortit shpallet fituese në truallin e Shtëpisë së Fëmijëve

Orlanda Karamuço, drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, është bashkëshortja e Genc Kuçuku-t të ProGeen L.L.C., kompani që u shpall fituese në konkursin për Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli”, projekt që shërbeu për zhvendosjen e institucionit dhe lirimin e truallit për kulla, duke nxjerrë hapur një konflikt interesi në zemër të zhvillimit të territorit…

Ndërsa Tirana po mbytet nga kullat dhe pronat publike po kalojnë njëra pas tjetrës në duar private, një tjetër rast i rëndë i konfliktit të interesit del hapur te projekti i Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli”, ku përfitimi privat lidhet drejtpërdrejt me drejtimin e territorit.

Orlanda Karamuço është drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, institucion që merret me planifikimin, zhvillimin dhe orientimin e territorit në Shqipëri, pra me mënyrën se si trualli publik ndryshon funksion dhe hapet për ndërtim.

Mafia e territorit/ Orlanda Karamuço drejtoreshë e AZHT,

Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Orlanda Karamuco drejtoresha

Në të njëjtën kohë, ProGeen L.L.C., kompani e drejtuar nga bashkëshorti i saj, Genc Kuçuku, u shpall një nga fituesit e konkursit për projektin e Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli”, projekt që shërben për zhvendosjen e institucionit dhe lirimin e truallit qendror ku do të ndërtohen kulla.

Pra, drejtuesja e agjencisë që merret me territorin është bashkëshortja e pronarit të kompanisë që përfiton nga zhvillimi i territorit.

Ky nuk është interpretim, por fakt.

Konkursi për “Zyber Hallullin” u prezantua nga Edi Rama dhe Elira Kokona si projekt social, si investim për jetimët dhe si model zhvillimi, ndërsa në realitet prodhoi shembjen e godinave ekzistuese, zhvendosjen e fëmijëve në periferi dhe lirimin e një trualli me vlerë të jashtëzakonshme ndërtimore për kullat private.

Nga ky konkurs, një nga subjektet e përfshira drejtpërdrejt në projekt ishte ProGeen L.L.C., kompani e lidhur familjarisht me drejtoreshën e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.

Në çdo shtet normal, vetëm ky fakt do të mjaftonte që procesi të ndalej, të pezullohej dhe të verifikohej. Në Shqipëri, ky fakt kalon pa zhurmë, sepse pushteti mbi territorin dhe përfitimi nga territori kanë kohë që funksionojnë brenda të njëjtit rreth.

Shtëpia e Fëmijëve u përdor si mbulesë. U tha se fëmijët do të kenë kushte më të mira, ndërsa trualli ku ndodhet sot institucioni u fut në proces ndërtimi. Godina e re në periferi shërben për të justifikuar një operacion ku përfitimi real nuk është institucioni social, por toka që lirohet.

Ky rast tregon qartë se si sot në Shqipëri lejet, konkurset dhe zhvillimi i territorit nuk ndahen nga lidhjet familjare, por kalojnë përmes tyre, ndërsa shteti sillet sikur nuk sheh asgjë.

Pamfleti nuk thotë se qytetarëve u duhet hequr e drejta për të punuar, por fakti që drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit është bashkëshortja e pronarit të një kompanie fituese në zhvillimin e një trualli publik, përbën konflikt të hapur interesi dhe cënon çdo parim të administrimit të territorit.

“Zyber Hallulli” nuk është përjashtim, por shembulli më i qartë se si po funksionon sot ndarja e territorit në Tiranë… (vijon) /Pamfleti