Shqiptari 32-vjeçar që humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor katër ditë më parë në Itali është Leonard Fjora.
Ai drejtonte një makinë “Volkswagen” në momentin që u përplas kokë më kokë me një kamion plehrash në autostradën e Porrettana në Bolonja. Për fat të keq, pas përplasjes, makina u shndërrua në një “top zjarri”, duke mos i dhënë asnjë shans të riut shqiptar për shpëtim.
Edhe ndërhyrja e zjarrfikësve, mjekëve dhe policisë ishte e kotë, pasi fatkeqësisht trupi u karbonizua.
Një nga shkaqet e aksidentit është përcaktuar moti i keq dhe akulli në rrugë, që e bënte aksin të rrëshqitshëm.
Fjora jetonte në Marzabotto dhe në ato momente po udhëtonte drejt Lama di Reno. Sipas policisë, makina ka kaluar në korsinë tjetër në shpejtësi dhe më pas ndodhi përplasja me kamionin, duke e kthyer mjetin e shqiptarit në masë pa formë. Dalja nga korsia dyshohet se ndodhi edhe për shkak të terrenit të rrëshqitshëm. Mjeti u përplas më tej me kangjellat e rrugës dhe ishte aq e fortë, sa makina u nda më dysh dhe shpërtheu në flakë.
Kur mbërritën grupet e shpëtimit, Fjora ishte tashmë e vdekur: flakët, dhe ndoshta edhe më herët përplasja e dhunshme me kamionin dhe kangjellën mbrojtëse, nuk i lanë asnjë shans. 32-vjeçari mund të ketë rënë të fikët në aksident, duke e penguar të dilte nga makina përpara se ajo të merrte flakë.
Shoferi 61-vjeçar i kamionit mbeti pothuajse i padëmtuar, por në gjendje shoku dhe u trajtua në vendngjarje.
Procesi i identifikimit të të ndjerit zgjati shumë për shkak të gjendjes së trupit të tij.