Sport

Malota analizon dy skuadrat me të cilat ka luajtur: Partizani për “Final 4”, Dinamo është zhgënjim ( E PLOTË)

Dinamo dhe Partizani do të diskutojnë sot mes tyre vendin e katërt në kampionat. Në stadiumin “Air Albania”, do të luhet sfida derbi mes dy skuadrave të kryeqytetit.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Renato Malota ka analizuar dy ekipet dhe paraqijet e bëra këtë sezon. Ishmbrojtësi shprehet se ka pasur më shumë pritshmëri nga Dinamo duke e konsideruar zhgënjim teksa shton se e ka bindur Partizani.

Renato, Dinamo dhe Partizani. Si e ke parë këtë sezon në përgjithësi?

Atëherë po flas për Dinamon. Dinamo e nisi shumë mirë kampionatin dhe u konsiderua menjëherë një nga pretendentët kryesorë për titullin. Të them të drejtën, shumëkush e shihte si favorit për të fituar kampionatin këtë sezon, sidomos pas suksesit në dhjetor, kur arritën të fitonin edhe Superkupën ndaj ekipit kampion. Megjithatë, pas muajit janar duket se diçka ndryshoi në atë skuadër. Performanca e ekipit nisi të bjerë gradualisht dhe rezultatet nuk ishin më ato të fillimit të sezonit. Ndoshta në këtë rënie kanë ndikuar disa faktorë, si mungesat në formacion, dëmtimet e lojtarëve apo edhe lëvizjet e bëra në merkato. Ndërsa sa i përket Partizanit, situata ka qenë disi e kundërt. Partizani nuk e nisi kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndoshta kjo lidhej edhe me përbërjen e skuadrës dhe me afrimet e bëra gjatë merkatos së verës. Megjithatë, me ardhjen e Kërnajës gjërat nisën të ndryshonin. Në fillim shumë njerëz ishin skeptikë për atë që ai mund të bënte te ky ekip, por personalisht mendoj se ai ka bërë dhe po vazhdon të bëjë një punë shumë të mirë. Ai po arrin të marrë maksimumin nga skuadra, edhe pse ka pasur shumë mungesa, pasi disa nga lojtarët kryesorë kanë qenë të dëmtuar dhe kanë munguar. Pavarësisht këtyre vështirësive, skuadra po arrin të marrë rezultate pozitive. Të them të drejtën, unë e shoh Partizanin me potencial për të qenë në Final Four në fund të sezonit, nëse vazhdojnë me këtë ritëm dhe me këto paraqitje që po tregojnë aktualisht.

Dinamo e nisi mirë po la shumë pikë. Çfarë mendon se ndodhi?

Dinamo, siç thashë edhe më parë, e nisi mjaft mirë sezonin, por që nga janari situata ndryshoi. Normalisht, do të thoja se një pjesë e kësaj rënieje lidhet me dëmtimet, pasi disa lojtarë kryesorë kanë munguar, por për mua faktori kryesor ka qenë merkatoja e dobët që u bë në janar. Nuk janë ofruar lojtarët e duhur, ose më saktë, ata që edhe trajneri Daja kishte kërkuar për ekipin. Nuk dua të hyj më shumë në arsyet pse nuk u bënë afrimet e duhura, por lojtarët që janë sjellë nga Ballshi ende nuk kanë arritur të ambientohen plotësisht dhe nuk kanë dhënë kontributin e nevojshëm për të ndihmuar Dinamon të arrijë nivelin që kishte në fillim të sezonit. Sigurisht, çdo lojtar ka nevojë për kohën e tij për t’u integruar, dhe ndoshta Dinamo nuk ka luksin të pres shumë gjatë, por kjo mbetet për t’u parë. Në përmbledhje, do të thoja se rënia e Dinamos nga janari lidhet kryesisht me kombinimin e mungesave dhe merkatos së janarit.

Nga ana tjetër, Partizani rikuperoi shumë. Çfarë ka ndikuar në këtë formë të të kuqve?

Mendoj që meritat kryesore i takojnë trajnerit, sepse me ardhjen e tij, Partizani ndryshoi dukshëm për mirë. Shikoj një trajner që di të marrë maksimumin nga çdo lojtar, pavarësisht se kush është ai. Sigurisht, merkatoja e janarit ka ndikuar gjithashtu, duke mbushur disa boshllëqe që kishte skuadra, por dua të theksoj se Partizani po luan edhe me shumë mungesa dhe dëmtime. Pavarësisht kësaj, trajneri Kërnaja po arrin të marrë maksimumin nga ekipi, duke fituar ndeshje dhe duke bërë një punë mjaft të mirë. Personalisht, unë meritat për këtë performancë ia jap vetëm tij, trajnerit, dhe duke parë ritmin që po tregon ekipi, e shoh Partizanin potencialisht në “Final Four” në fund të sezonit.

A e sheh Partizanin si skuadrën që mund t’i marrë vendin Dinamos?

Kjo, natyrisht, do të duhet të shihet me kohë, dhe do ta kuptojmë edhe pas ndeshjes së nesërme, ku dy ekipet do të përballen direkt. Por duke parë ecurinë e javëve të fundit, unë e shoh Partizanin si favorit për t’i marrë Dinamos vendin e katërt.

Sot luhet ndeshja direkte mes tyre. Si e parashikon si ndeshje?

E shoh këtë ndeshje shumë të luftuar, sepse të dy ekipet e dinë rëndësinë e saj. Cili ekip që humb, natyrisht do të ndikojë edhe në vazhdimësinë e sezonit. Mendoj se do të jetë një ndeshje që do të vendoset me një gol, dhe ajo skuadër që do të gabojë më pak dhe do të luftojë më fort, do të dalë fituese. Të them të drejtën, e shoh ndeshjen 50-50, nuk mund ta ndaj se cili mund të fitojë, por si favorit, sipas mendimit tim, është Partizani.

Nëse bën një krahasim mes dy ekipeve, cili ekip mendon se ka kualitetin më të madh që mund të rivalizojë për titull?

Tani, duke folur për cilësitë e ekipeve, të them të drejtën, i shoh thuajse të barabartë. Partizani ka afruar disa lojtarë mjaft cilësorë gjatë pjesës së dytë të sezonit, ndërsa lojtarët që kanë ardhur nga Partizani B po tregojnë një formë shumë të mirë. Janë lojtarë me kualitet dhe që tashmë janë bërë baza e ekipit. Po ashtu, Dinamo ka futbollistë të mirë si Bregu, Dita dhe të tjerë. Në këtë moment, ecuria e këtyre dy ekipeve varet shumë nga puna e trajnerëve. Secili ekip do të tregojë gradualisht aftësitë e tij dhe do të shohim se cili do të arrijë më shumë.

Sa i përket rivalitetit për titull, duhet të jem realist. Aktualisht nuk i shoh as Partizanin e as Dinamon si kandidatët kryesorë për të fituar kampionatin, krahasuar me ekipet si Vllaznia, Egnatia apo Elbasani. Megjithatë, Partizani duket se ka kapur formën e duhur dhe ka shanse reale të kualifikohet në Europë, që e bën sezonin të suksesshëm për ta, duke marrë parasysh pritshmëritë e fillimit të sezonit dhe nivelin e merkatos. Nga ana tjetër, Dinamo është një zhgënjim, pasi ka hyrë në sezon me ambicie për titull, por me grupin aktual dhe formën që po kalon, duket shumë e vështirë të konkurrojë me ekipet kryesuese. Nuk i shoh në lartësinë e tre ekipeve që përmenda më parë.