Aktualitet

Masat/ Mandarinat e rrezikshme, zyrtari i AKU zbulon detaje: Eksportuesi i testoi në Itali, çfarë rezultoi

Zyrtari i AKU-së, Martin Jorgaqi, ka treguar sesi janë informuar dhe procesin që kanë ndjekur deri në asgjësimin e mandarinave shqiptare, të cilat rezultuan me pesticide të rrezikshme, të ndaluara nga BE.

Jorgaqi tha përballë gazetares Loneta Progni në A2 CNN, se eksportuesi i kishte testuar mandarinat në Itali, por kishin rezultuar konform standardeve të BE-së.

Ai shtoi gjithashtu se nga 3 ngarkesat në fjalë, të përcaktuara me sasi të lartë pesticidesh, vetëm një nuk është asgjësuar dhe ajo mendohet se është asgjësuar në shtetin kroat, pasi mund të jetë kalbur pas kalimit të disa ditëve.

“Kanë qenë 3 ngarkesa, në harkun e 12 ditëve. Sepse lajmërimi ka ardhur në datën 2 dhjetor, pavarësisht se është thënë se ka ardhur në datën 29 nëntor. Por në datën 29 nëntor ka ardhur një informacion shumë i cunguar, me të cilin ne nuk kishim asnjë informacion lidhur me gjurmueshmërinë e produktit.

Më pas na u bë i ditur emri i eksportuesit. Kaq mjaftonte për ne që të merrnim gjithë informacionin e duhur përmes trupave inspektuese. Është shkuar të magazinuesi apo eksportuesi, është marrë gjithë gjurmueshmëria për fermerët që ai kishte kryer gjithë blerjet.

Ai kishte kryer edhe analizat e produktit në Itali, që kishin dalë konform rregullave europiane. Por megjithatë kjo sasi u asgjësua totalisht, në të dyja rastet. Kurse rasti i tretë nuk është kthyer dhe gjasat janë që ku produkt të jetë kalbur dhe asgjësuar në shtetin kroat”, tha Jorgaqi.