Kulturë

Matilda Makoçi, një yll që do shkëlqejë përgjithmonë, pavarësisht fatit tragjik të saj

Nga Altin Dangëllia

Faqja e njohur Aktorët shqiptarë kishte postuar një foto të aktores së dashur Matilda Makoçi, me mbishkrimin: “Matilda Makoçi, yll si aktore, yll si femër, yll si njeri”.

Një shënim, që më bëri të reflektoj për të jo vetëm si aktore, por dhe si njeri.

Si aktore nuk mund të vihet në diskutim, pasi ka qenë një ndër më të talentuarat e brezit të saj.

Filmat e saj, ende sot e kësaj dite janë më të shikuarit dhe më të pëlqyerit.

Ndaj ajo do mbetet gjithmonë një yll shkëlqyes për atë që ka bërë në kinematografinë shqiptare dhe askush nuk mund t’ja marrë.

Ashtu siç janë përpjekur t’i marrin jetën, pas fatit tragjik që pësoi.

Ende sot e kësaj dite në fakt, nuk e di askush me saktësi çfarë ndodhi realisht me një prej aktoreve më të talentuara dhe më simpatike shqiptare.

Askush nuk mund të thotë se çfarë ndodhi me të, pasi ka shumë legjenda urbane.

Fakt është se martesa e saj me Edi Ramën, rezultoi në një histori të dhimbshme, që do t’i ndryshonte përgjithmonë jetën.

Dhe nga një yll në ngjitje, Matilda përfundoi në një fantazmë, që nuk e di askush se çfarë bën, ku jeton, me kë jeton, ku i gjen të ardhurat, a ka njeri pranë, a e ndihmon njeri, a është kujtuar shteti a Ministria e Kulturës për të, për t’i dhënë një dorë, siç ajo i ka dhënë artit shqiptar.

Po miqtë e saj aktorë, a janë kujtuar ndonjëherë për të, a e kanë ndihmuar, a e takojnë, a përpiqen t’ia lehtësojnë sadopak dhimbjen?

Fakt është, se në momentin e saj më të vështirë, ajo u braktis nga të gjithë.

Ashtu siç braktisën në këtë vend, të gjithë ata që kanë hall, të pamundurit, të sëmurët, të vrarët dhe të goditurit nga jeta.

Sepse në këtë Shqipërinë tonë, nuk ka rëndësi se çfarë ke bërë dhe kush ke qenë, pak të të vërë fati dhe jeta përfund, dhe harrohesh nga të gjithë.

Ashtu siç ndodhi me Matildën. E cila vërtet sot mund të jetë një fantazmë, që s’e di askush se çfarë bën, por filmat e saj e bëjnë të pavdekshme.

Sepse një yll, shkëlqen gjithmonë.

Ashtu siç bëri Matilda jonë, në vitet më të errëta për shqiptarët.