“Mbështesim Trump për sulmin në Iran”, Rama e Berisha në garë; pikat e përbashkëta në reagime
Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës, Sali Berisha, kanë shqafur qëndrime pothuajse të njëjta lidhur me sulmin amerikan ndaj centraleve bërthamore në Iran, duke mbështetur hapur vendimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Pavarësisht se vetë politika amerikane duket e ndarë në qëndrime, ndërsa demokratët në SHBA pretendojnë se Trump duke anashkaluar Kongresin ka shkelur Kushtetutën amerikane, Rama dhe Berisha nuk kursehen për të shprehur mbështetjen e tyre publike pro vendimit të Presidentit të SHBA.
Madje të dy e konsiderojnë teokratik regjimin apo diktaturën e Teheranit. Pavar֝ësisht se kush ka reaguar më shpejt dhe kush më vonë, duket se dy personazhet politike në Tiranë të paktën kanë të njëjtat qëndrime në raport me Iranin, ose këshillohen nga të njëjtët këshilltarë.
E ndërsa shumë nga liderët e BE-së janë treguar të rezervuar në reagime publike, duke vënë theksin kryesisht në nisjen e bisedimeve për zgjidhje, duket se në Tiranë, ka një garë se kush do të shfaqet më ‘pro’ Trump dhe bombardimit të centraleve bërthamore.
Në postimin e tij në ‘X’, Kryeministri Rama shkruan se regjimi teokratik i Teheranit s’mund të pajiset me armë bërthamore.
Ndërsa Berisha në ‘Facebook’ shkruan se iranianët duhet të bashkohen për të përmbysur diktaturën teokratike.
Reagimi i Ramës
“Ky nuk është thjesht një shtet tjetër bërthamor. As thjesht një diktaturë me ambicie bërthamore. Kjo është një teokraci e armatosur me retorikë apokaliptike, e zhytur në 70 vjet duke i cilësuar kombet e lira si “Satanike” dhe duke bërë thirrje të hapura për shfarosjen e tyre.
Nga çdo aspekt, është një devijim i veçantë, ndryshe nga çdo shtet i armatosur bërthamor, pavarësisht sistemit politik”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjet.
Në vijim ai thekson se “si një komb që doli nga humnera e një regjimi brutal ateokratik, si një anëtar krenar i botës së lirë dhe si një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara, Shqipëria mbështet fuqimisht përpjekjet e sinqerta të Presidentit Trump për të parandaluar që regjimi teokratik në Teheran të pajiset ndonjëherë me armë bërthamore”.
Qëndrimi i Berishës
Në anën tjetër, ish-kryeministri dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, në reagimin e tij shkruan se obliterimi, de facto asgjesimi mbrëmë i potencialit bërthamor të Ajetullahëve të Iranit nga fuqia ajrore e SHBA-së është një mundësi e re dhe një thirrje e fuqishme për iranianët në Iran dhe në botë të bashkohen për përmbysjen e diktaturës teokratike obskurantiste dhe për një Iran të lirë dhe demokratik.
Ish-Kryeministri ka mbajtur edhe pak ditë më parë një qëndrim kundër Iranit. Berisha shkruante ditën kur Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit se diktatura teokratike e Ajetullahëve të Teheranit drejt fundit të merituar!
“Goditjet në zemër (sulmin) të regjimit nga forcat ajrore izraelite të mbështetura nga SHBA, asgjësimi i elitës terroriste të Gardës dhe të ushtrisë së Ajetullahëve, sistemeve mbrojtëse dhe impianteve bërthamore dhe objekteve të tjera strategjike, po çojnë drejt fundit të merituar regjimin diktatorial, obskurantist, luftënxitës e destabilizues të Teheranit”, shkruante Berisha.