Aktualitet

Mbyllja e TikTok në Shqipëri, do të duhen dhe 10 ditë që rrjeti social të bllokohet përfundimisht

Platforma sociale TikTok ende nuk është mbyllur plotësisht në Shqipëri, dhe afati i 13 marsit, i vendosur nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për bllokimin përfundimtar të aksesit, do të shtyhet. Aktualisht, përdoruesit e TikTok në Shqipëri po hasin vështirësi në përdorim dhe shohin sinjale të bllokimit në proces.

Autoriteti për Sigurinë Kibernetike ka nisur fazën e parë të procedurave, dhe i gjithë procesi mund të kërkojë deri në 10 ditë për t’u përfunduar, për shkak të veprimeve të nevojshme që duhet të realizohen me kompanitë e internetit për bllokimin e plotë të platformës.

Pas një ngjarje tragjike, ku një 14-vjeçar humbi jetën pas një sherri të nisur në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama propozoi mbylljen e TikTok si një masë për të rritur sigurinë e fëmijëve. Pas këshillimeve me prindër dhe mësues, qeveria vendosi mbylljen e platformës për të mbrojtur të rinjtë nga përmbajtje të dëmshme.

Nëse platforma do të rihapet, TikTok duhet të sigurojë filtra që do të mbrojnë përdoruesit e rinj nga videot agresive dhe të papërshtatshme.