Aktualitet

“Më la një djalë si drita” – Fjalimi rrëqethës i bashkëshortes së Shpat Kasapit në homazhet për artistin e ndjerë: “Ai ishte shumë i mirë për këtë botë mizore”

Një ditë përkujtimore u mbajt sot në Komunën e Çairit në nderim të jetës dhe veprës së artistit të dashur dhe shumë të respektuar, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Dhimbja, lotët dhe nderimi i thellë e mbushën sallën ku familjarë, miq, kolegë dhe admirues të artistit u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën simbolike një prej zërave më të dashur të skenës shqiptare.

Mes një atmosfere të rënduar, bashkëshortja e tij, Selvije Jao, mbajti një fjalim që preku çdo të pranishëm. Ajo foli për dashurinë e pakushtëzuar të Shpatit, për përkushtimin e tij si bashkëshort dhe si baba, dhe për djalin e tyre të vogël, Roelin, i cili ende nuk e kupton humbjen e të atit.

“Një njeri që mua si Selvije më ka kompletuar, më ka mbështetur, më ka respektuar dhe më ka dashur,” tha ajo me zërin që i dridhej. “Mbi të gjitha, më ka falë një djalë si drita.”

Selvija tregoi se Roeli, vetëm tre vjet e gjysmë, vazhdon të kërkojë babain e tij, pa e ditur se ai nuk do të kthehet më.

“Roeli është vetëm 3 vjet e gjysmë dhe ai ende nuk e kupton se nuk e ka babain e tij. Nuk e di si do të rritet me këtë dhe nuk e di kush do t’i tregojë,” u shpreh ajo, duke shtuar se një ditë, djali i tyre do të jetë krenar për njeriun që e solli në jetë. “E di që ai do të jetë shumë krenar me babain e tij. Shpati është përkushtuar deri në frymën e fundit që ai të rritet me të gjitha të mirat.”

Me lot që i rridhnin pa pushim, Selvija e mbylli fjalimin me një mesazh që kishte qenë shpesh pëshpëritje mes tyre:

“I kam thënë edhe Shpatit: ti je shumë i mirë për këtë botën tonë mizore.”

Fjalët e saj e përshkuan sallën me një dhimbje të pastër, duke rikujtuar se pas figurës publike që njihte gjithë Shqipëria, qëndronte një njeri i ndjeshëm, i dashur dhe i përkushtuar ndaj familjes. Homazhet u mbyllën mes duartrokitjeve të heshtura dhe lotëve të atyre që e deshën dhe e vlerësuan Shpat Kasapin si artist dhe si njeri.