Sport

Merkatoja jep efekt te Korabi, Canaj: Rëndësi ka fitorja, ja synimi ynë. Gega: Humbëm prej gjykimit, Valbona po luan 11 kundër 14

Korabi mori një fitore me “poker” golash në shtëpi ndaj Valbonës. Me këtë sukses në shifrat 4-2, dibranët nisin misionin e ngritjes dhe daljes nga zona e rrezikut. Padyshim në këtë triumf të Valbonës ndikuan edhe afrimet në merkaton e dimrit, ku nuk munguan edhe golat e dytë debutues.

Ndeshja e planifikuar për të dielën u shty për dje, ku ishte bërë e mundur edhe largimi i dëborës nga fusha e lojës.

Ndeshja-Loja nis me dy gola të shpejtë, ku miqtë shënuan që në minutën e tretë. Llanaj depërton bukur në radhët e mbrojtjes dibrane dhe godet fort duke ndëshkuar me gol portierin Qyrani. Dy minuta më pas, Ujkan Muça edhe pse në një pozicion të dyshimtë arrin të shënojë golin e  barazimit dhe 1-1. Loja ndizet nga të dyja palët, që luajnë bukur dhe në të 33-ën është Paulo Pjeshka, afrimi i fundit i Korabit në merkato, i cili përmbys në favor të Korabit. Me rezultatin 2-1 mbyllen 45 minutat e para.

Pjesa e dytë e gjen Korabin më të sigurt jo vetëm për ruajtjen e epërsisë, por që arrin edhe të katërfishojë shifrat me dy gola të bukur. Fillimisht është Patrik Treni ai që trefishon në të 54-ën. Ndërsa në të 72-ën, Mziu me një goditje brenda i çon shifrat në 4-1.  Tre minuta para fundit është Krasniqi që depërton në zonë dhe Paplekaj e pengon dhe gjyqtari akordon penallti për Valbonën. Krasniqi mban gjysmë premtimin pasi shënoi nga pika e bardhë, por tropojanët dolën të mundur nga Peshkopia, pasi i gjithë takimi u mbyll në shifrat 4-2. Korabi arrin t’i shkëputet zonës së rënies direkte, ndërsa Valbona mbetet e 11-ta, por tani 7 pikë larg dibranëve dhe duke rrezikuar seriozisht rënien.

Korabi – Valbona  4-2

Golat: Muça 5’, Pjeshka 33’, Treni 54’, Mziu 72’ / Llanaj 3’, Krasniqi 87’ (11-m

Korabi: Qyrani, Paplekaj, Kurti, Mziu (Reçi 85’), Marku (Peralta 74’), Pjeshka, Zeqiri, Muça (Kryemadhi 71’), Andoni, Disha, Treni. (Në dispozicion: Alia, Hasaj, Sina, Shani, Stana, Buci, Lilaj). Trajner: Agim Canaj.

Valbona: Hoxha, Doçi, Lamçe, Farruku (Aluku 68’), Zeqiraj, Uesli, Lala (Vidrica 75’), Kamilo, Laval (Rosaj 75’), Llanaj, Balla (Krasniqi 60’). (Në dispozicion: Mashi). Trajner: Emiliano Gega.

Kartonë të verdhë: Mziu 8’ / Hoxha 9’, Llanaj 31’, Uesli 55’, Zeqiraj 71’

Gjyqtarë: A.Çobaj, B.Dragusha, S.Hysejni (Shkodër)

Delegat: Brikeno Pjetrushaj (Lezhë)

Vëzhgues: Engjëll Pjetrushaj (Lezhë)

 

Canaj: Rëndësi ka fitorja, ja synimi ynë

Trajneri i Korabit, Agim Canaj, pas fitores u shpreh: “Të gjitha ndeshjet janë të vështira, jo vetëm Valbona që e vlerësoj shumë. Në fazën e parë ne fituam atje, por ajo që më bëri përshtypje ishte qytetaria dhe atmosfera e shkëlqyer, si brenda dhe jashtë fushës. Na shënuan të parët, por ne kishim besim dhe arritëm të barazonim shpejt. Pastaj dominuam ndeshjen. Kemi shumë për të korrigjuar, por rëndësi në këto momente ka fitorja, sepse po shohim se edhe kundërshtarët po fitojnë brenda dhe jashtë fushës. Është shumë e vështirë rruga deri në fund  dhe do të mundohemi që edhe me lojtarët që na kanë ardhur  t’i fusim shumë shpejt në punë. Si fillim duhet të sigurojmë qëndrimin në kategori dhe pastaj të shohim  se ku do të shkojmë”.

Gega: Humbëm prej gjykimit

Trajneri Emiliano Gega pohoi se Valbona e ka të vështirë të mbijetojë me këtë lloj gjykimesh. “Tetë pikë distancë në futboll nuk janë asgjë, por me këtë arbitrim normal që Valbona do të zbresë më poshtë. Nuk del dot kundër arbitrimit, pasi futbolli luhet 11 me 11 dhe jo 14 me 11.  Si ekip e nisëm lojën shpejt ku edhe shënuam, por në humbjen ndikoi edhe gjykimi, duke mos dhënë karton të kuq për kundërshtarin që në minutën e tetë. Valbona shpëton, nëse ka drejtësi”, tha Gega.