Turkish Airlines, transportuesi kryesor ajror i Turqisë, ka nisur fluturimet e përditshme midis Stambollit dhe Tiranës, duke marrë hapur vendin e Air Albania në këtë itinerar strategjik. Kompania turke ka njoftuar se fluturimet do të kryhen çdo ditë nga Aeroporti i Stambollit, duke e përfshirë sërish Tiranën në rrjetin global të destinacioneve të saj.
Ky zhvillim vjen pak pasi Air Albania pezulloi fluturimet drejt Stambollit, në një moment kur raportonte humbje financiare dhe u përball me pezullimin e licencës së operimit. Turkish Airlines, e cila mbante 49.12% të aksioneve të Air Albania, ka larguar dorën e saj nga kompania duke i shitur aksionet pas dështimit të këtij projekti.
Air Albania u themelua në 2018 si një projekt i përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe Turkish Airlines, i reklamuar gjerësisht nga Kryeministri Edi Rama si kompania kombëtare ajrore që do t’i jepte Shqipërisë statusin e një lojtari të ri në transportin ndërkombëtar. Madje, në një takim me diasporën shqiptare në Nju-Jork në vitin 2024, Rama u shpreh se po punohej për një fluturim të drejtpërdrejtë me Air Albania drejt SHBA: “Kur të ndodhë, do ta bëjmë patjetër këtu në Nju-Jork”.
Sot, ky premtim duket më shumë si një kujtim politik, ndërsa Turkish Airlines ka marrë në dorë kontrollin total të linjës më të rëndësishme në rajon. Në një treg që po bëhet gjithnjë e më konkurues, “krenaria kombëtare” Air Albania është zhdukur nga itineraret pa asnjë shpjegim publik nga qeveria apo autoritetet ajrore shqiptare.
Rikthimi i Turkish Airlines në këtë formë shihet si shenjë e dështimit të eksperimentit me Air Albania, i cili nisi si një aleancë strategjike dhe përfundoi si një projekt i braktisur në heshtje. Për udhëtarët shqiptarë dhe turq, kjo është vetëm një çështje zgjedhjeje fluturimi, por në planin politik, është një tjetër premtim i pambajtur që shton listën e projekteve të dështuara të qeverisë Rama.