Sfida ndaj Romës po afrohet dhe në shtëpinë e Milanit ka lajme positive për trajnerin Masimiliano Alegri. Ardon Jashari duket se është rikthyer formën e tij të mirë tashmë prej disa javësh, siç tregoi edhe performanca kundër Leçes, ndërsa Santi Himenez ka kaluar problemin me kyçin e këmbës dhe premton të shkëlqejë.
Për më tepër, Niklas Fylkryg është bashkuar te kuqezinjtë dhe ka fituar menjëherë zemrën e tifozëve me golin kundër Leçes. Në Milanin e sotëm, hapësira për Ruben Loftus-Cheek është dhe do të mbetet e kufizuar. Anglezi, i ardhur verën e vitit 2023 për 21,5 milion euro, mund të largohet që në këtë sesion merkatoje.
Aston Vila ka shfaqur interes të madh për mesfushorin ish-Çelsit, për të zëvendësuar të lënduarin Boubacar Kamara, i cili do të qëndrojë jashtë deri në fund të sezonit pas dëmtimit në gju kundër Totenham. Emeri ka kërkuar nga klubi një përpjekje ekonomike për të arritur objektivat e sezonit, dhe Loftus-Cheek duket profili ideal.
Deri tani nuk ka oferta zyrtare, ndërsa Milani vlerëson mesfushorin midis 12 dhe 15 milion euro, por mund të kënaqet edhe me më pak për të shmangur një humbje prej rreth 8,5 milion. Lojtari ka deklaruar dëshirën për të qëndruar, por rikthimi në Premier League mund ta ndryshojë vendimin e tij. Nëse Loftus-Cheek largohet, Milan do të përqendrohet tek mbrojtësi i kërkuar nga Alegri.
Emri kryesor është Diego Kopola, ish-lojtari i Veronës, i lindur në 2003 dhe aktualisht te Brajton. Eksperienca në Angli nuk ka shkuar siç pritej: vetëm 5 paraqitje dhe nën 200 minuta në fushë. Lojtari dëshiron të kthehet në Itali, për të rikthyer vendin në Kombëtare dhe ndoshta për të ëndërruar Botërorin.
Brajtoni, që e bleu për 11 milion euro, është i hapur për huazim me të drejtë blerjeje ose blerje direkte. Por mbi Coppola ka konkurencë të fortë nga Fiorentina. Merkatoja e Milanit, mes rikthimeve të formës së lojtarëve dhe lëvizjeve të mundshme, pritet të jetë vendimtare për sezonin dhe objektivat e skuadrës.