Dështoi Simon Zereci në konkursin për Drejtor të Gardës dhe ministrja hodhi në erë gjithë procesin, një precedent i rëndë që ekspozon kapjen e sigurisë kombëtare dhe shkatërrimin e meritokracisë…
Gara për Drejtor të Përgjithshëm të Gardës së Republikës u zhvillua. Kandidatët u testuan. Procedura përfundoi. Por kandidati i paracaktuar nuk fitoi. Dhe pikërisht këtu shpërtheu skandali.
Simon Zereci, emri që prej muajsh qarkullonte si zgjedhja e sigurt e Ministrisë së Brendshme për drejtimin e Gardës, dështoi në konkurs. Nuk arriti të dalë fitues në një proces që, për herë të parë, funksionoi realisht si garë. Reagimi i pushtetit nuk ishte pranimi i rezultatit, por asgjësimi i procesit.
Ministrja e Brendshme, në vend që të respektonte përfundimin e konkurrimit, prishi gjithçka. Me një email formal, ajo njoftoi se “procedura nuk është finalizuar me shpalljen e një kandidature fituese”, duke pretenduar njëkohësisht se procesi kishte respektuar ligjshmërinë, transparencën, paanshmërinë dhe meritokracinë.
Në fakt, përkthimi real i këtij mesazhi është i thjeshtë dhe brutal: nuk fitoi kandidati ynë, prandaj konkursi nuk vlen.
Ky është një precedent i rëndë dhe i rrezikshëm, sepse nuk bëhet fjalë për një post dytësor, por për drejtimin e Gardës së Republikës, institucionit që mbron rendin kushtetues, jetën e krerëve të shtetit dhe sigurinë kombëtare. Në një shtet normal, ka vetëm dy alternativa. Ose konkursi është i manipuluar dhe anulohet për shkelje, ose konkursi është korrekt dhe shpallet fituesi që ka dalë nga gara. Këtu ndodhi një variant i tretë, tipik për regjimet klienteliste: konkursi ishte korrekt, por rezultati ishte i papranueshëm për pushtetin.
Fakti që kandidati i preferuar politikisht nuk fitoi, por në vend të tij u ndëshkuan të gjithë pjesëmarrësit dhe vetë institucioni, tregon se konkursi nuk u mendua kurrë si garë reale. Ai ishte një formalitet për të legjitimuar një emër të paracaktuar. Kur ky emër dështoi, pushteti reagoi jo duke korrigjuar veten, por duke eliminuar procesin.
Skandali bëhet edhe më i rëndë po të kemi parasysh se bëhet fjalë për Simon Zerecin, një figurë e kontestuar publikisht dhe e denoncuar për problematika serioze, e papranueshme për një institucion që duhet të mishërojë integritet, disiplinë dhe besueshmëri. Megjithatë, për pushtetin këto nuk kanë rëndësi. Nuk ka rëndësi siguria e Gardës, nuk ka rëndësi meritokracia, nuk ka rëndësi ligji. Ka rëndësi vetëm që të fitojë Simoni.
Dhe nëse nuk fiton Simoni, prishet loja.
Ky veprim është një mesazh i qartë për çdo oficer, çdo nëpunës dhe çdo profesionist në administratë: garoni sa të doni, por fiton vetëm ai që caktojmë ne. Dhe nëse nuk fiton, do ta anulojmë procesin. Do të fshijmë rezultatin. Do të shpallim sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Ky nuk është më thjesht skandal administrativ. Është shkatërrim i qëllimshëm i shtetit ligjor, në një nga institucionet më të ndjeshme të sigurisë. Dhe pyetja që mbetet pezull është kjo: a do të rihapet konkursi realisht, apo do të gjendet një tjetër manovër për ta futur Simonin nga dritarja, pasi dështoi nga dera?
Historia e deritanishme jep vetëm një përgjigje./Pamfleti