Mirela Kumbaro ka kryer masakër kur ishte te Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim në ish-Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, që prek menaxhimin financiar, prokurimet, zbatimin e vendimeve gjyqësore, planifikimin buxhetor dhe administrimin e fondeve publike.
Kjo ministri u drejtua nga Kumbaro në këtë kohë, teksa më pas ajo kaloi te Arsimi, ndërkohë në shtator pati dhe ristrukturim ministrish, pasi ministria e Mjedisit doli më vete, ndërsa Turizmi u bashkua me Kulturën dhe Sportin.
Auditimi i përputhshmërisë është kryer për periudhën 1 janar 2023 – 31 dhjetor 2024, ndërsa në përmbledhjen ekzekutive KLSH flet për 15 rekomandime në total, ku përfshihen 12 masa organizative, 1 rekomandim për shpërblim dëmi dhe 2 rekomandime për përdorim të fondeve publike pa ekonomicitet dhe efektivitet.
Pjesa më kritike e raportit lidhet me mënyrën si institucioni ka trajtuar vendimet gjyqësore për rikthimin në detyrë të punonjësve. Sipas auditimit, ministria ka paguar për vite me radhë detyrime ndaj punonjësve gjyqfitues, por pa i rikthyer në pozicionet e mëparshme apo në poste ekuivalente. Për pasojë, janë krijuar pagesa të dyfishta për të njëjtin funksion: një person është paguar sipas vendimit të gjykatës, ndërsa puna është kryer nga një tjetër punonjës. Vetëm për vitin 2023 janë ekzekutuar vendime për 15 punonjës në vlerën 12.723 mijë lekë, me 363 mijë lekë tarifa përmbarimore, ndërsa në vitin 2024 janë likuiduar 14.441 mijë lekë për 13 punonjës, plus 445 mijë lekë shpenzime përmbarimore. Në total, KLSH llogarit 27.973 mijë lekë si përdorim pa efektivitet të fondeve buxhetore, ndërsa thekson se ka raste të pazgjidhura që datojnë që nga viti 2010 dhe zvarritje deri në 15 vite.
Një tjetër gjetje e rëndë lidhet me kontratën për “Rikonstruksionin e godinës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit”. Nga verifikimet në terren, KLSH ka konstatuar diferenca mes volumeve të punimeve të raportuara dhe atyre të kryera realisht, si edhe punime të llogaritura jo sipas gjendjes faktike në objekt. Për këtë kontratë, auditimi evidenton një dëm ekonomik në vlerën 1.851.948 lekë pa TVSH dhe kërkon që titullari i autoritetit kontraktor të nxjerrë aktin administrativ për shpërblimin e dëmit ndaj operatorit ekonomik “A.” SHPK, duke e ndjekur çështjen edhe në rrugë gjyqësore.
Në të njëjtën linjë, raporti ngre pikëpyetje serioze edhe për përdorimin e fondeve publike për automjetin e titullarit të institucionit. KLSH konstatoi se ministria ka marrë me qira një automjet me një kosto totale 1.152.000 lekë me TVSH, ndonëse mjeti ekzistues ishte riparuar më herët me një shpenzim prej 1.176.000 lekësh me TVSH dhe ishte ende brenda periudhës së garancisë. Auditimi e cilëson këtë procedurë si të pabazuar dhe të pajustifikuar, duke e konsideruar shpenzim pa ekonomicitet për buxhetin e shtetit.
Problemet nuk mbarojnë me kaq. Në dokumentacionin financiar, KLSH ka gjetur likuidime me vonesë të 33 faturave për vitin 2023 dhe 12 faturave për vitin 2024, në tejkalim të afatit ligjor. Po ashtu, në pasqyrat financiare nuk janë reflektuar si detyrime të prapambetura 9 fatura të vitit 2022 në shumën 48.562.124 lekë, të likuiduara në vitin 2023, si dhe 12 fatura të vitit 2023 në shumën 2.674.228 lekë, të likuiduara në vitin 2024. Sipas auditimit, ky mosraportim cenon saktësinë dhe transparencën e raportimit financiar.
Në drejtim të menaxhimit të brendshëm, KLSH ka konstatuar mungesë të gjurmëve të auditimit, mungesë dokumentimi për proceset vendimmarrëse, mospërditësim të rregullt të faqes zyrtare me dokumentet e transparencës dhe mungesë të një baze të centralizuar të të dhënave për të ardhurat, kontratat dhe detyrimet kontraktuale. Raporti evidenton se kjo dobëson transparencën publike dhe gjurmueshmërinë e vendimmarrjes.
Edhe në fushën e burimeve njerëzore janë konstatuar probleme. Auditimi gjeti se kriteret e pranimit për disa punonjës të rekrutuar kanë qenë të përgjithshme dhe jo specifike sipas pozicioneve të punës, në kundërshtim me ligjin për nëpunësin civil. Kjo është një nga arsyet pse KLSH ka kërkuar rishikim të kritereve të pranimit, në mënyrë që proceset e rekrutimit të mbështeten realisht te merita dhe kërkesat e funksionit.
Një tjetër bllok problematikash lidhet me prokurimet. Sipas raportit, në disa tendera ka pasur kritere të veçanta që nuk përputheshin me objektin e kontratës, ndërsa në dy raste dokumentacioni i publikuar në sistemin elektronik të prokurimeve nuk përputhej me dokumentacionin fizik të dorëzuar pas shpalljes së fituesit. KLSH evidenton parregullsi edhe në procesverbalet e marrjes në dorëzim të shërbimeve, të cilat në disa raste nuk janë protokolluar, si dhe mungesë specialistësh të fushës në komisionet përkatëse.
Në sektorin e turizmit, auditimi thotë se në raportet e realizimit të projekteve me mbështetje financiare mungon evidenca e procesit të monitorimit nga grupet përkatëse, çka sipas KLSH cenon transparencën dhe rrit riskun për përdorim jo të verifikueshëm të fondeve. Po ashtu, për vitin 2023 kontratat për subjektet fituese janë nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm, në mungesë të delegimit të kompetencës nga ministri, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.
Nga raporti del qartë se KLSH nuk po flet vetëm për mangësi teknike, por për një problem të gjerë administrimi, ku bashkëjetojnë moszbatim i vendimeve gjyqësore, pagesa pa efektivitet, prokurime të pajustifikuara, dëme ekonomike dhe mungesë transparence. Vetë opinioni i auditimit është modifikuar, pikërisht për shkak të këtyre devijimeve materiale në menaxhimin e fondeve publike dhe në zbatimin e kuadrit ligjor nga ish-Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Gjetjet kryesore të KLSH:
-Mungesë e gjurmëve të auditimit në procese kyçe të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm, përfshirë mbledhjet, ndarjen e detyrave dhe administrimin e kredencialeve të sistemeve elektronike.
-Dobësi në planifikimin buxhetor, pasi disa njësi të varësisë nuk kanë paraqitur kërkesat buxhetore sipas afateve dhe formateve ligjore.
-Mospërputhje në paga dhe pasqyrat financiare, mes ditarit të pagave, sistemit të tatimeve dhe raportimit financiar të ministrisë.
-Likuidim me vonesë i faturave dhe mosraportim i saktë i detyrimeve të prapambetura në pasqyrat financiare.
-Zvarritje në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, ku punonjësit janë paguar sipas vendimeve të formës së prerë, por nuk janë rikthyer në detyrë, duke krijuar edhe pagesa të dyfishta për të njëjtin funksion.
-Përdorim pa efektivitet i fondeve publike në vlerën rreth 27.9 milionë lekë, si pasojë e moszbatimit të plotë të vendimeve gjyqësore dhe pagesave përmbarimore.
-Parregullsi në projektet e mbështetjes financiare në turizëm, ku mungon dokumentimi i monitorimit të kontratave dhe i përdorimit të fondeve.
-Probleme në procedurat e prokurimit publik, përfshirë kritere tenderi që nuk përputhen me objektin e kontratës dhe mospërputhje mes dokumentacionit fizik dhe atij të publikuar në sistem.
-Dëm ekonomik prej 1,851,948 lekësh pa TVSH në kontratën për rikonstruksionin e godinës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për shkak të volumeve të fryra dhe punimeve të pakryera sipas situacionit përfundimtar.
-Shpenzim i pajustifikuar për marrje me qira automjeti, në një kohë kur automjeti ekzistues ishte ende në garanci pas riparimit.