Monografia “Mirush Kabashi, Sokrati shqiptar” kushtuar aktorit të njohur, të ndarë nga jeta një vit më parë, u prezantua në sallën e Universitetit të Arteve. Krahas librit, të pranishmit patën mundësinë të shikonin edhe ekspozitën fotografike “Mes teatrit dhe filmit”, si dhe një film dokumentar kushtuar Mirush Kabashit.
Mes emocionesh, e bija e aktorit, Mendi Kabashi, e cilëson aktorin një yll të paharruar që i ka dhënë shumë artit.
“Ai u kthye në një yll që do të qëndronte gjatë mes nesh: për ne familjen dhe ju publikun, binomi mes të cilit kaloi gjithë jetën. Falënderim për të gjithë ata që i bënë ditët net për të nxjerrë në pah gjithë ndriçimin e këtij ylli, që në ndryshim të personazhit të ‘Yllit pa emër’ do të kthehej në një yll me emër të paharruar në galaksinë e artit shqiptar.”, – thotë ajo.
Regjisorja Driada Dervishi, autore e monografisë dhe ideatore e kësaj nate rrëfen njohjen e saj me Kabashin, që kur e pa në ekran në shfaqjen “Ylli pa emër”, kur ishte 12 vjeç. Ajo tregon se për hartimin e monografisë ka pasur ndihmën e bashkëshortes së aktorit dhe familjarëve të tjerë.
“Ishte një shfaqje, e cila më befasoi jo vetëm me lojën aktoriale me një personazh të veçantë, i cili fliste me naivitet, drojë, pafajësi dhe trishtim të një njeriu, që edhe i përkiste, edhe nuk i përkiste një province të vogël. Ka një moment kur të gjithë yjet bëhen bashkë, rreshtohen për të bërë diçka dhe besoj që pikënisja ka qenë pikërisht para pothuaj 30 viteve. Më pas do të bashkëpunonim me Mirushin dhe ka një arsye pse unë sot jam këtu.”, – thotë Dervishi.
Për Bujar Kapexhiun, Mirush Kabashi ishte unikal në mënyrën se si punonte me personazhin.
“Nga aq eksperiencë sa kam si aktor dhe regjisor veçoj Mirush Kabashin si unikal në disa drejtime, por së shumti në një drejtim të veçantë: puna që bënte ai me personazhin. Ai e merrte me pasion të jashtëzakonshëm rolin. Ai që në momentin e parë, e bënte të vetin. Ai punonte, sa kur vinte në sheshin e xhirimit ishte gati vetëm për t’u xhiruar. Në këtë moment, më lejoni t’i drejtohem në parajsë Mirushi dhe t’i them: Faleminderit për atë që bëre për mua! Atë që bëre për skenën dhe ekranin! Faleminderit për atë që bëre për artin shqiptar.”, – shprehet Kapexhiu.
Bashkia e Tiranës me vendim të Këshillit Bashkiak i ka dhënë emrin Mirush Kabashi, Amfiteatrit te Parku i Madh i Liqenit Artificial.