Kronikë

Mjerim dhe dhimbje në Spitalin Onkologjik, gratë me kancer kimioterapi në kushte të tmerrshme

Në Spitalin Onkologjik po ndodh një fenomen që nuk përputhet me asnjë standard të një vendi europian. Gratë që luftojnë kancerin marrin kimioterapi ulur në karrige të zakonshme, pa poltronë dhe pa asnjë lloj privatësie.

Trajtimi kryhet pa pajisjet bazë që kërkon protokolli modern. Kjo situatë vendos pacientët në rrezik të përditshëm dhe i ekspozon ndaj një trajtimi që nuk mund të quhet mjekim, por mbijetesë.

Pamjet dhe përshkrimi i kësaj gjendjeje janë publikuar nga gazetari Osman Stafa, i cili dokumenton mungesën totale të shiringave elektrike dhe pompave të infuzionit. Kimioterapia jepet me gravitet. Kjo metodë e përdorur dekada më parë krijon rrezik të mbidozës, nën-dozës dhe reaksioneve alergjike pa asnjë alarm sigurie.

Stafa thekson se spitali nuk përdor port-cat. Pacientet shpojnë venat në çdo seancë me dhimbje dhe me rrezikun e dëmtimit të indeve. Në çdo vend me standarde normale porti vendoset që në fillim të trajtimit.

Postimi 

Kjo nuk është kimioterapi.

Kjo është mbijetesë.

Në vitin 2025, gratë që luftojnë kancerin trajtohen kështu: të ulura në karrige të zakonshme, pa poltronë, pa privatësi, pa kushte minimale dinjiteti.

Asnjë shiringë elektrike.

Asnjë pompë infuzioni.

Kimioterapia jepet me gravitet, një praktikë e viteve ’80, me rrezik mbidoze, nën-doze, bllokimi, reaksione alergjike pa asnjë alarm. Jetë në rrezik për shkak të varfërisë teknike.

Asnjë port-cat.

Pacientët shpojnë venat çdo herë, me dhimbje, me rrezik ekstravazimi, me indet që digjen e shkatërrohen. Ndërkohë që në çdo vend normal porti vendoset që në fillim të trajtimit, për siguri, dinjitet dhe jetë.

Këto gra nuk po marrin trajtim.

Këto gra po durojnë një sistem që është dorëzuar.

Ky është realiteti i Onkologjikut sot.

Dhe çdo ditë që heshtet, pacientët trajtohet në kushte të papranueshme për një vend që pretendon të jetë europian.

Kjo nuk është historia e tyre.

Kjo është përgjegjësia e shtetit.