Avokati Idajet Beqiri është shprehur se militantët që dalin në shesh gjatë tubimeve të PD-së nuk janë protestues të kësaj partie, por ‘Hamasi i Berishës’.
Komentet Beqiri i bëri në një emision televiziv, ku tha se Berisha ka krijuar një organizatë kriminale të dhunshme që e përdor sa herë që i nevojitet.
Duke i cilësuar protestat e Berishës si kryengritje të armatosura, Beqiri i kërkoi SPAK që të hetojë organizatorët dhe pjesëmarrësit sipas ligjeve në fuqi (që sipas tij do të dënoheshin nga 25 vite burg deri në burgim të përjetshëm).
Lidhur me sulmin te vila e Enver Hoxhës (sot qendër kulturore), Beqiri tha se aty u rrezikuan jetët e artistëve dhe sipas tij ishte fat që ata shpëtuan.
“Protesta është një e drejtë demokratike, por kur e bëjnë qytetarët e këtij vendi, ku e bëjnë sindikatat. Por ne nuk shohim askund që protestat të bëhen nga forcat politike. Por këtu ndryshimi është se nuk i bëjnë as forcat politike. Theksoj që abuzohet duke thënë që kjo është protestë e PD-së. Nuk është protestë e PD-së, sepse nëse do të ishte, të paktën aty në protestë do të ishin rreth 28 mijë kryetarë seksionesh, anëtarë të udhëheqjes, deputetë, të gjitha strukturat e partisë. Jo anëtarësia.
Vetëm udhëheqës bëhen 20 mijë. Kurse aty janë 1 mijë vetë. Ata përfaqësojnë një organizatë kriminale. Ai është Hamasi i Berishës. Ka kohë që e ka krijuar këtë Hamas. Ai këtë Hamas e përdori edhe në zgjedhjet e 1996-ës, edhe në grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998. Pastaj këtë Hamas ai e përdori edhe kur ishte në pushtet, duke e përzierë me strukturat shtetërore dhe Gardën e Republikës, ku bëri 21 Janarin. Kemi të bëjmë me një organizatë kriminale që bën një kryengritje të armatosur. Ai e thotë vetë kryengritje. Nuk ka koncept të kryengritjes paqësore. Ka vetëm kryengritje të armatosur.
Kryengritja e armatosur nëse je në strukturë që ta udhëheqësh këtë kryengritje shkon në burgim të përjetshëm. Ndërsa ata të tjerët që marrin pjesë si ushtarë dënimi shkon nga 25 vite deri në burgim të përjetshëm. Këto vepra që ti përgatit bomba me benzinë, molotovë, mjete zjarri, ti këto i hedh mbi policinë që të vrasësh njerëz. Ti këto i hodhe te vila e Enver Hoxhës, kur atje kishte njerëz. Ajo dihet që është qendër kulturore ndërkombëtare ku vijnë artistë nga gjithë bota. Strukturat ligjzbatuese bëjnë sehir, sepse skemi procedim për kryengritje të armatosur”, tha mes të tjerash Beqiri.
Beqiri vijoi më tej duke thënë se 2 janë arsyet që Berisha sulmoi me molotovë vilën e Enver Hoxhës. E para sipas tij është që të prishë imazhin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve. Beqiri tha se Berisha e bën këtë pasi është agjent i Serbisë.
Ndërsa arsyeja e dytë që i vendosi flakën, sipas tij është që ta privatizojë vilën e Enver Hoxhës për llogari të Shkëlzen Berishës. Beqiri shtoi se të njëjtën gjë bëri edhe me pyllin e Pish Poros në Vlorë, të cilit i vendosi flakën në mënyrë që Argita të ndërtonte fshat turistik.
“Berisha donte ta privatizonte vilën për llogari të Shkëlzen Berishës. Ajo nuk është vila e Enver Hoxhës. Nuk e ka ndërtuar Enveri. Ajo ishte e një deputeti të kohës së Zogut, i cili kur u pushtua Shqipëria ja dha me qira fillimisht një gruaje për 99 vite… Saliu tani do ta përvetësojë për veten e vet dhe i fut një të djegur si dogji pyllin e Pish Poros në Vlorë që të bënte fshat turistik Argita. Berisha vente me Belerin në Greqi dhe thoshte se Shqipëria s’duhet të futet në Europë. Është misionar i së keqes, misionar serb. Ata e sollën në pushtet”, përfundoi Beqiri.