Aktualitet

Moment heroik në Tiranë: Polici i “Shqiponjave” nxjerr në kurriz gruan e paralizuar nga pallati në flakë

Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania tregon një moment human dhe heroik gjatë zjarrit që përfshiu një pallat në zonën e Ali Demit në Tiranë.

Në pamje shihet një efektiv i forcave “Shqiponja” i cili ndihmon në evakuimin e një gruaje të moshuar dhe të paralizuar nga kati i pestë i pallatit që ishte përfshirë nga flakët. Meqenëse gruaja nuk mund të ecte, punonjësi i policisë e ka marrë në kurriz dhe e ka zbritur nga shkallët për ta nxjerrë jashtë në siguri.

Sipas mesazhit të dërguar nga një qytetar për redaksinë e JOQ, ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, kur flakët përfshinë një pallat në këtë zonë të kryeqytetit, duke shkaktuar panik te banorët.

Një video ku duket vërtet puna humaniste e Policisë së Shtetit, në këtë rast Shqiponjat. Punonjësi i policisë zbriti këtë zonjë nga kati i pestë duke e mbajtur në kurriz, pasi ajo ishte e paralizuar dhe nuk mund të ecte”, shkruan qytetari që ka dërguar videon.

Pamjet tregojnë momentin kur efektivi i policisë bën përpjekje për ta nxjerrë gruan nga ndërtesa, ndërsa situata ishte e rrezikshme për shkak të zjarrit dhe tymit.