Pavarësisht se ndodhet në kushte izolimi në burg, Ilir Meta vijon të ndjekë me vëmendje zhvillimet në skenën politike shqiptare. Por ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, theksoi se nuk ka asnjë lloj komunikimi me të.
“Nuk kam komunikuar dhe nuk kemi asnjë kontakt. Nuk më intereson fare. Unë jam e përqendruar te detyra ime. Sa i përket raportit tim me opinionin publik dhe me strukturën politike që kam kontribuar në ngritjen e saj, vijoj të jem e angazhuar,” u shpreh Monika Kryemadhi.
Ajo shtoi se pas datës 11 maj, do të mbyllë kapitullin politik dhe do të nisë një faqe të re në jetë.
“Kam dhënë mbi 21 vite nga jeta ime në politikë, dhe ky është kontributi maksimal që më jep të drejtën të jem e pavarur në çdo qëndrim timin. Nuk më intereson aspak se çfarë mendon ai. Pas 11 majit, për mua fillon një jetë e re, krejt ndryshe,” deklaroi ajo.