Kandidati i PD, Ilir Alimehmeti ka reaguar pas përfundimit të numërimit, edhe të zarfeve të diasporës, teksa ai rezultoi ndër kandidatët më të votuar të PD në Qarkun e Tiranës, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Mjeku i njohur u votua nga 18 125 qytetarë të cilët i besuan atij votën.
Por pavarësisht nga ky rezultat, ndër demokratët më të votuar krahas Jorida Tabakut (20 565 vota), Ilir Alimehmeti mbeti jashtë Parlamentit të ardhshëm, pasi nga lista e hapur PD siguroi vetëm 1 mandat në Tiranë. Ishte pikërisht Tabaku ajo që fitoi garën kokë më kokë me Alimehmetin.
Në një postim në rrjetet sociale, Ilir Alimehmeti shprehet se “rezultati nuk është fundi” por “fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të ndershëm, që do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim, pa u ndalur”.

Postimi
Të dashur qytetarë, miq e bashkëluftëtarë të ndershmërisë,
18.125 herë ju i thatë “po” shpresës, ndryshimit dhe të vërtetës.
18.125 zemra besuan se politika mund të jetë ndryshe – më njerëzore, më e drejtë, më pranë qytetarit. Për këtë, ju jam thellësisht mirënjohës.
Kjo fushatë nuk ishte thjesht një sfidë elektorale – ishte një thirrje për ndërgjegje, për bashkim rreth vlerave që na bëjnë njerëz: ndershmëria, puna, dinjiteti.
Çdo votë që hodhët nuk ishte vetëm për një emër, por për një mënyrë të re të të bërit politikë.
Ju faleminderit që qëndruat krah meje, që më dhatë forcë me fjalët, buzëqeshjet dhe besimin tuaj. Faleminderit që më lejuat të jem zëri juaj.
Rezultati nuk është fundi – është fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të ndershëm, që do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim, pa u ndalur.
Me gjithë shpirtin,
Ilir Alimehmeti