Shqipëria do të luajë në fundin e muajit mars dy ndeshje shumë të rëndësishme, gjithmonë nëse arrin të fitojë të parën kundër Polonisë. Kuqezinjtë janë më pranë se kurrë me Botërorit e vitit të ardhshëm që do të luhet në Amerikë, Meksikë dhe Kanada. Kuqezinjtë do të luajnë në “Play Off” të Kupës së Botës falë vendit të dytë që arriti të siguronte në kualifikueset e fundit.
Stafi teknik ka nisur prej ditësh punën për këtë rrugëtim historik dhe po përpilon listën me futbollistët të cilëve do t’iu besohen këto sfida që mund të jenë historike për futbollin shqiptar por edhe për lojtarët që do të jenë të gatshëm apo në fushë duke dhënë kontribut. Lajmi pozitiv për momentin është fakti se shumë nga titullarët e Shqipërisë në kualifikuese, janë titullarë edhe me klubet e tyre dhe bëhet fjalë për lojtarë që janë në gjendje të mirë fizike dhe me shumë minuta e njëkohësisht në një formë shumë të mirë, duke nisur që nga porta e duke përfunduar në sulm aty ku pritet që të ketë edhe risi.
AFRIMET E REJA
Ernest Muçi dhe Anis Mehmeti janë padyshim dy futbollistët më në formë të Shqipëisë, megjithëse në kualifikuese asnjëri prej tyre nuk ishte protagonist. Madje, Mehmeti nuk u grubmullua asnjëherë edhe pse me Bristolin asokohe ishte duke shënuar e asistuar rregullisht duke qenë protagonist absolut. Nga ana tjetër, Muçi që grumbullohej nuk ishte në moment të mirë me klubin e tij të Beshiktashit por situata ka ndryshuar dhe nuk bëhet fjalë për një moment të tillë. Aktualisht Muçi është lojtari më në formë i momentit jo vetëm nga Shqipëria, por ndoshta edhe në kampionatin turk.
Golat e shënuar në mënyrë të rregullt nga java në javë dhe asistet e shumta që ka dhënë, e kanë kthyer Muçin në një lojtar emri i të cilit po lakohet jo vetëm në kampionatin turk por edhe në Europë për merkaton e verës. Kjo formë e lojtarëve i ka kthyer në dëshirën më të madhe të tifozëve shqiptarë për t’i parë me fanellën e Shqipërisë në ndeshjet e marsit kundër Polonisë e më pas kundër fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi, të cilat do të përcaktojnë edhe skuadrat e Botërorit. Por, këto afrime të mundshme mund të sjellin ndryshime në listë, të paktën nga ndeshja e fundit ku Shqipëria luajti kundër Andorrës dhe Anglisë. Në kualifikueset e Botërorit, trajneri Silvinjo nuk ka preferuar që të bëjë ndryshime të shumta dhe të ketë risi, duke u shprehur gjithmonë në intervista se nuk është koha dhe momenti për të bërë eksperimente.
Por, situata mund të ndryshojë me kalimin e ditëve duke qenë se ka ndryshuar edhe situata me lojtarët pasi ata futbollistë që në tetor apo nëntor ishin titullarë me skuadrat e tyre, sot janë pushim ndërkohë që të tjerë që asokohe nuk po spikasnin, sot janë ndër lojtarët më të komentuar për shkak të momentit të mirë. Një tjetër emër i lakuar së fundmi është ai i Stavro Pilo i cili aktivizohet me AEK-un në kampionatin grek dhe është një nga më të spikaturit. Mbrojtësi nga Delvina është lakuar si një risi për ndeshjet e marsit dhe natyrisht do të jetë një vlerë e shtuar por për të ardhur te Shqipëria, do të duhet të sakrifikohet një tjetër futbollist që ka qenë në listë në ndeshjet kualifikuese.
NDRYSHIMET NË LISTË
Nga ndeshjet e fundit në nëntor, do të ketë ndryshime në çdo repart ku me shumë gjasa do të mbeten jashtë disa futbollistë për të marrë të tjerë emra. Sa i përket portës, Strakosha dhe Dajsinani janë dy portierët që po aktivizohen rregullisht me AEK-un dhe Egnatian ndërkohë që Simoni luan në kampionatin gjerman dhe do të ketë një balotazh mes tij dhe Alen Sherrit që është rikthyer.
Sa i përket repartit të mbrojtjes, të vetmit lojtarë që nuk luajnë janë Elseid Hysaj dhe Klisman Cake. Mbrojtësi shkodran natyrisht pritet të jetë në listë e madje edhe në fushë për eksperiencën dhe atë që ka treguar ndërkohë që kampionati rus rinis ditën e nesërme ku Rubin Kazani i shqiptarëve do të luajë në transfertë aty ku aktivizohen Daku dhe Cake të cilët pritet të kthehen në protagonistë me rusët. Sa i përket mesfushës, thuajse të gjithë futbollistët e marsit janë duke shkëlqyer me klubet e tyre, me përjashtim të Medon Berishës.
Mesfushori i Leçes ishte një nga lojtarët më në formë në fillim të sezonit por një dëmtim i pësuar asokohe, e ka lënë jashtë prej muajsh dhe do t’i duhet ende kohë për t’u rikthyer e nëse nuk arrin të kthehet në kohë, mund të jetë një nga të sakrifikuarit e marsit. Në sulm, dyshime ka për Armando Brojën. Sulmuesi i Bërnleit nuk duket në skuadër me anglezët prej javësh dhe trajneri raportoi pak ditë më parë se bëhet fjalë për një dëmtim i cili nuk është e qartë se sa kohë do ta lërë jashtë. Manaj është rikthyer me gol te Sivaspori ndërkohë që të njëjtën gjë ka bërë edhe Uzuni me skuadrën e tij në Amerikë. Daku do të rikthehet në fushë ditën e nesërme pasi ka qenë pushim prej javësh dhe jashtë pritet të mbetet Indrit Tuci, për t’i lënë vendin në Kombëtare sulmuesit të Trabzonsporit, Ernest Muçit.