Ernest Muçi po kalon një sezon shumë pozitiv me Trabzonsporin, duke kontribuar me gola dhe asiste për skuadrën turke. Ekipi i tij është në garë për Kupën e Turqisë dhe njëkohësisht synon një pozicion në podium në kampionat, që do t’i hapte rrugën pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve.
Gjatë kësaj periudhe, Muçi ka qenë një nga lojtarët më të besuar të trajnerit Fatih Teke. Futbollisti shqiptar ka qenë rregullisht titullar, ndërsa performancat e tij në fushë kanë justifikuar besimin e stafit teknik.
Një statistikë e publikuar për muajin shkurt në Superligën turke e konfirmon ndikimin e tij në lojën e Trabzonsporit. Sipas të dhënave të kampionatit, Muçi është futbollisti që ka krijuar më shumë raste të pastra për gjuajtje në portë se çdo lojtar tjetër në ligë.
Mesfushori shqiptar ka regjistruar 16 pasime që kanë çuar në gjuajtje drejt portës nga shokët e skuadrës. Në vendin e dytë renditet Vaçlav Çernji i Beshiktashit me 10 pasime të tilla.
Podiumi plotësohet nga një tjetër futbollist i Kombëtares shqiptare. Qazim Laçi renditet i treti me 8 pasime për gjuajtje, duke lënë pas emra të njohur të kampionatit si Marko Asensio dhe Zhoao Neves, të cilët gjatë këtij muaji kanë regjistruar nga 7 pasime të tilla.