Politikë

Murrizi ironizon protestën e PD: Revolucion leshi, demokratët nuk janë punonjës administrate

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka reaguar me tone ironike ndaj protestës së zhvilluar sot nga opozita para Kuvendit, ndërsa brenda sallës votohej për çështjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku. Tubimi i thirrur nga PD u konsiderua i vakët dhe me pjesëmarrje të kufizuar. Po ashtu ka ironizuar dhe faktin që PD do të protestojë të dielën e 22 marsit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Murrizi ka kritikuar mënyrën se si po organizohen protestat nga drejtuesit e opozitës, duke i cilësuar thirrjet për mobilizim si “revolucion leshi”.

Sipas tij, demokratët nuk mund të thirren vazhdimisht në protesta pa strategji dhe pa marrë parasysh faktin se shumica e tyre janë njerëz që punojnë dhe nuk paguhen për pjesëmarrje në tubime politike.

Nuk mund të ftosh demokratët në çdo “protestë” me të njëjtin stil “mashtrimi” e thirrje për revolucion leshi e pastaj i shpërndan sikur i ke punonjës administrate.

Ka disa kllounë në Kryesi dhe grup parlamentar që i mendojnë si të punësuar protestues apo mitingash demokratët dhe pa u menduar i thërrasin të vijnë për tubim në Tiranë orar pa orar dhe ditë pune duke harruar që ATA që vijnë në “protestë” nuk paguhen as në PD as në Parlament.

Këtë kam shkruar në 28 janar 2026:

Tani kismet “protestë” tjetër me datë 20 shkurt pastaj me 22 mars dhe flasim në shtator se në 17 maj e kanë radhën atë të paradës së “krenarëve”.

Deri në korrik mbase nuk ka nevojë për protestë tjetër veç 20 shkurtit dhe 22 marsit se ndoshta vetë Gysi mund të dorëzohet në SPAK dhe pastaj Qeveria bie ngaqë nuk ka kush komandon më Ramën.

Kuptohet duke shpresuar që Rama nuk do votohet më në këtë kohë nga deputetët e opozitës se ndryshe shihemi në maj 2029”, shkruan ai.