Sport

Myrto Uzuni drejt rekordit të ri në karrierë, zbulohet objektivi i sulmuesit të kombëtares shqiptare

Myrto Uzuni është tashmë pjesë e historisë së Austin FC, duke u bërë lojtari i tretë në historinë e klubit që arrin kuotën e 10 golave të shënuar. Para tij, këtë shifër e kishin arritur Maksi Urruti dhe Gias Zardes.

Sulmuesi shqiptar realizoi golin e tij të dhjetë në ndeshjen hapëse të sezonit ndaj Minesotës, sfidë që u mbyll në barazim 2-2. Nëntë golat e tjerë Uzuni i kishte shënuar gjatë vitit 2025, duke qenë një nga pikat kyçe të repartit ofensiv të ekipit amerikan.

Aktualisht, rekordin e golashënuesit më të mirë në historinë e Austin e mban Maksi Urruti, i cili ka realizuar 11 gola në 64 ndeshje. Uzuni, me 35 ndeshje të zhvilluara deri më tani, ka mundësinë reale për ta tejkaluar këtë shifër dhe për të vendosur një rekord të ri për klubin, që garon në Major League Soccer (MLS) që prej vitit 2021.

Nga ana kontraktuale, Uzuni është i lidhur me Austin deri në fund të vitit 2027. Gjatë merkatos së dimrit ai ishte pranë një transferimi te Trabzonspori, por marrëveshja nuk u finalizua pasi klubet nuk arritën akordin për kushtet financiare.

Me nisjen e sezonit të ri, sulmuesi nga Berati pritet të mbetet një nga elementët kyç të skuadrës në objektivat e saj në kampionatin amerikan.

Myrto Uzuni drejt rekordit të ri në karrierë, zbulohet objektivi