8 Marsi në fakt nuk është festë, por dita që simbolizon luftën e grave për të drejtat e tyre dhe është një ditë përkujtimore për protestat e grave punëtore të Nju Jorkut në Amerikë.
Është një ditë e organizuar fillimisht nga Partia Socialiste e Amerikës në vitin 1909 dhe më pas u pasua nga një konferencë ndërkombëtare e grave socialiste në vitin 1910.
Si festë u shpall nga Lenini në vitin 1922, në kujtim të grave që kontribuan në Revolucionin Rus të vitit 1917.
Nga OKB-ja është zyrtarizuar si Dita e Gruas në vitin 1977.
Pra, në thelb është një ditë që simbolizon një lëvizje politike të grave për të drejtat e tyre.
Por, meqenëse në mentalitetin komunist është quajtur si “festë”, pa qenë në fakt festë zyrtare, edhe në 35 vite postkomunizëm nuk është festë zyrtare, përveç rasteve kur qëllon ditën e diel, si sot. Atëherë pothuajse e gjithë politika e uron si “festë” në mënyrë hipokrite, pa pasur vullnetin që ta vendosë me ligj si festë zyrtare.
Në shumë vende të botës, gratë çdo 8 Mars dalin në protestë për më shumë të drejta dhe në kujtim të zanafillës së kësaj lëvizjeje për të drejtat e grave.
Gratë, nënat dhe vajzat nuk duhet të respektohen në mënyrë hipokrite me urime fallco dhe një tufë me lule shumëngjyrëshe vetëm një ditë në vit, pra vetëm më 8 Mars.
Respekti dhe vlerësimi për çdo grua, për çdo nënë dhe për çdo vajzë duhet të jetë gjatë gjithë kohës, për sa kohë kjo jetë vazhdon, sepse gratë e mbajnë botën gjallë dhe nga duart e tyre është rritur e gjithë bota, aq sa vite kjo botë ekziston mbi tokë.