Politikë

Myslim Murrizi: Prishni pazarin e 2008-ës, kalbësirat e tjerat shemben vetë!

Problemi kryesor i vendit nuk janë individët, por sistemi politik i ngritur pas marrëveshjes së prillit 2008

Ish-deputeti Myslim Murrizi ka publikuar në rrjetet sociale një video nga fjala e tij në Kuvend në qershor të vitit 2020, duke e shoqëruar me një mesazh të ashpër ndaj klasës politike dhe kritikëve të tij.

Në postimin e tij, Murrizi shkruan se vite më parë ishte etiketuar si “tradhtar” kur deklaronte se elita politike ishte e bashkuar për interesat e saj, ndërsa sot, sipas tij, shumë prej atyre që e kundërshtonin po mbrojnë të njëjtat qëndrime.

Kur kam thënë unë që elita politike është bashkë për interesat e saj, jo pak nga ju ‘revolucionarët’ e qershorit 2026 më quanit ‘tradhtar’, ndërsa ‘dashnorët’ e sotëm të Flamingove ishin në delir dhe i mbanin sytë, veshët dhe mendjen në Flamingo, Aruba dhe Bogota për ngarkesën e radhës. Por më mirë vonë se sa kurrë“, shprehet ai.

Në videon e publikuar, Murrizi përsërit se problemi kryesor i vendit nuk janë individët, por sistemi politik i ngritur pas marrëveshjes së prillit 2008.

Vëreni gishtin te e vetmja plagë që ka sistemi politik i qelbur shqiptar, që ka kapur prej fyti shtetin dhe pushtetin. Prishja e pazarit të ndyrë të prillit 2008, që u bë për interesa të ngushta të kryetarëve të partive. Të tjerat shemben vetë si kalbësira të ngritura mbi këtë qelbësirllëk“, shkruan ai.

Sipas ish-deputetit, çdo përpjekje për ndryshim mbetet e kotë nëse nuk preket, siç shprehet ai, “rrënja e problemit”.

Mos u merrni me degët. Vëreni gishtin te plaga. Për sa kohë që nuk prishet pazari i prillit 2008, çdo gjë tjetër është vetëm fasadë. Ai është themeli mbi të cilin është ngritur ky sistem politik“, vijon Murrizi.

Në fund të postimit, Murrizi u bën thirrje ndjekësve të dëgjojnë të plotë videon nëntëminutëshe, duke e cilësuar atë si një kujtesë për qëndrimet që, sipas tij, ka mbajtur prej vitesh për sistemin politik shqiptar.