Kulturë

Natasha Lako tregon telefonatën me Nexhmije Hoxhën: Më paralajmëroi, do të shohësh se çfarë do të ndodhë

“Edhe sot ka censurë. Ke frikë se të heq nga puna njëra parti apo tjetra”. Kështu është shprehur skenaristja dhe poetja Natasha Lako gjatë një bisede në “Forumet” e Universitetit Europian të Tiranës.

Lako iu përgjigj pyetjeve të prof. asoc. dr. Belina Budini, shefe e Departamentit të Marrëdhënieve Publike dhe Komunikimit në UET mbi ndikimet letrare, por edhe mbijetesën gjatë një sistemi diktatorial, kur një fjalë mund të të kushtonte shumë. Lako e pranon se ka qenë një periudhë e vështirë, e kanë thirrur në hetuesi për të dëshmuar për kolegë, i kanë censuruar poezi, autoritetet më të larta të kohës, si Nexhmije Hoxha, interesoheshin drejtpërdrejt për kinematografinë, por ajo nuk e fsheh që edhe sot nuk mungon censura dhe autocensura dhe shkrimtari nuk e ka më atë pozicion që kishte dikur.

Cilat janë ato shkrimtare ose poete shqiptare që ju i vlerësoni, çmoni profesionalisht?
Unë e kam thënë dhe një herë tjetër, që dhe Elena Kadare vetë, nuk e di se sa ka ndikuar edhe tek unë në fazën e parë, me novelën e saj “Ditë vere”. Gjendja shoqërore ishte e njëllojtë, në atë novelë flitej për një vajzë që prindërit i thoshin: mbylle dritën, mjaft lexove. Janë disa libra, që i mbanim fshehur në atë kohë, disa libra dashurie për të cilët thoshe: prit, se mos më shikojnë. Ishte njëlloj leximi gjysmë në ilegalitet, në familje kur je i ri. Këto gjëra, Elena Kadare i trajtonte në novelën e saj dhe unë i kisha provuar në veten time, në familjen time. Kështu që ndikoi shumë.

Po gra të tjera, përveç Helena Kadaresë?
Unë di që në jetën time, në krijimtarinë time, dy kanë qenë ndikimet e mëdha, fatkeqësisht nuk janë shqiptare. E para, Ana Frank. Ditari i Ana Frankut ishte një tronditje shumë e madhe për mua. Një nga poezitë e para të miat, botuar në ’64, është “Pas më ndjek shikimi yt, Ana Frank”. Është tronditëse, sepse së pari është një talent i jashtëzakonshëm, e dyta për mua, në moshën që e lexoja, në pubertet, më dukej me probleme shumë të hapura, shumë të guximshme edhe për eroticizmin e pubertetit. Dhe e treta ishte ana tragjike e saj. Kurse shkrimtarja tjetër që ka ndikuar tek unë ka qenë George Sand (Zhorzh Sand) sepse unë vij nga një qytet ku ka pasur një lice francez dhe biblioteka e Korçës ka qenë shumë e pasur me libra në frëngjisht, por edhe në rusisht, dhe e mbaj mend që e kam lexuar shumë herë, pa ditur mirë gjuhën. Unë e lexova sepse ajo ishte shumë ekstravagante, për mendimin tim, në atë kohë, derisa vishej si burrë kudo që shkonte. Shumë më vonë, sot, unë mund të kem lexuar veprat e saj të plota, dhe ajo që më ka bërë përshtypje është që ajo flet shumë hapur për erotizmin e gruas, gjë që nuk ishte bërë ndonjëherë.

Si e keni gjetur veten pas periudhës komuniste, si i keni rregulluar raportet me jetën publike, për të vijuar për të qenë e rëndësishme, prodhuese. Pra, Si e keni gjetur veten në këtë mjedis të ri dhe a jeni cilësuar ndonjëherë socrealiste?
Fatkeqësisht, ne kishim diktaturën më të gjatë. Kur fillova unë të shkruaj, 16 vjeçe, sigurisht, letërsia shqipe e pasluftës ishte jashtëzakonisht tematike. Ne na vinin tekste në shkollë dhe sigurisht që fjala hermetike, fjala e errët, ishte shumë e rëndë për poezinë. Unë i takoj asaj periudhe, por kjo nuk do të thotë se i ndiqja me përpikëri idetë e realizmit socialist. Ndonjëherë përdoret edhe si klishe. Për shembull: filmi “I 8-ti në bronz” është i jashtëzakonshëm në profesionalizëm, dhe kur e pashë pas kaq kohësh, shqova se ka shumë pluralizëm atje, sa e them me bindje, që sot, nuk ka aq pluralizëm sa ka atje. Nuk ka pluralizëm në Shqipëri. Ne nuk flasim dot hapur, ne kemi frikë se na pushon nga puna një parti apo një tjetër. Por kufizime ka pasur, edhe frikë patjetër. Ka qenë një kohë kur janë arrestuar disa redaktore dhe më thërresin edhe mua në hetuesi. Unë nga frika ngatërrova rajonin. Për një problem banal, ata të linin 12 orë edhe pa ditur gjë se çfarë ke bërë.

Po kur shkruanit poezi, e kishit parasysh censurën?
Lavdia ime ishte kur bashkëpunova me filmin “Mësonjë- torja”. Pse? Sepse unë atje kisha veten time, presionin tim, mirë- po në këtë kohë më bllokohet libri. Gjenden në librin tim katër poezi me probleme ideologjike. Katër poezi u grisin dhe mua më thirren për të bërë 4 poezi të reja dhe ky është inkuizicioni. Shkrimtari është njeriu që shpreh botën e vet. Zëri i shkrimtarit sot është zbehur. Pasi demokratizimi ka sjellë më shumë liri, dhe tani është kthyer në njeri të zakonshëm. Zëri i shkrimtarëve është shuar, pasi nuk e duan zërin e lirë të individëve. Shoqëria njerëzore emancipohet çdo ditë, por roli i shkrimtarit ka rënë pasi ka rënë edhe leximi. Asnjë tiran nuk ka lidhje me shkrimtarët e botës. Shkrimtari është njeri që shpreh botën e vet dhe mendoj që edhe sot, në këtë periudhë, zëri i shkrimtarit, jo vetëm në Shqipëri, por të tërë botën nuk është ai i mëparshmi. Edhe demokratizimi ka sjellë zëra më të fuqishëm, është shkolluar njeriu, shkrimtari nuk është më ai njeriu-perëndi ose ai që ishte, një Mesia, por është kthyer në një njeri të zakonshëm.

Mos për hir të lirisë legjitimohet demonizimi që i është bërë njeriut?
Mos po mbrohen filmat që janë bërë përpara viteve ’90, që glorifikonin krimet e komunizmit? Liria nuk cenohet. Letërsia dhe arti shkëputet nga e përditshmja. Kanë ndërruar kohët dhe edhe ato personazhe që dikur ishin negativë, sot duken simpatikë. E kam dëgjuar edhe më herët këto akuza, por nisur nga eksperienca ime, ju sjell një shembull. Filmi “Fletë të bardha” është shfaqur në vitin 1990 dhe është shkruar para rënies së Murit të Berlinit. Kam qenë në një shtëpi pushimi në Vlorë me shoqen time Eglantina Mandia dhe e kam pyetur për vitin, pasi atje e kam shkruar skenarin. Ka qenë viti 1988. U shfaq para ngjarjeve të 2 korrikut dhe shoqëria ishte polarizuar. Ka pasur debate të mëdha. Më ka marrë në telefon vetë Nexhmije Hoxha, më ka kërcënuar, më ka thënë që “do të të dënojmë dhe s’do kesh më të drejtë autori”. Por ishte shumë vonë. Dhe stilet, se si duhet të shkruajë shkrimtari, pse shkruajte kështu apo ashtu, i kam dëgjuar me kohë. Kam eksperiencë të gjatë. Shyqyr që njeriu është i lirë dhe mund të shprehet lirisht.