11 vjet më parë si sot, ndahej nga jeta aktori i madh Fatos Sela. Misteri i amanetit të tij: Mos më çoni në Teatër
Herë duke marrë fuqi nga kujtimi i tij, e herë duke u dobësuar nga mungesa, aktorja Natasha Sela tregon ditët e fundit të të shoqit, Fatos Selës. Sëmundja e papritur, marrëdhëniet e aktorit me teatrin e kolegët, bashkë me amanetin për të mos e çuar në teatër për homazhe. Me gjithë dhembjen që i shkakton humbja e tij, Natasha do të ecë përpara, bashkë me të edhe rolet në teatër, atëherë kur i vijnë
Pas largimit nga jeta të të shoqit, aktorit Fatos Sela, nga Natasha nuk dolën shumë fjalë, përveç amanetit të tij “Mos më çoni në teatër!”. Zërat që venin e vinin nëpër tavolina, thanë se prej sëmundjes vuajti shumë. Në fakt, jo. Për familjarët, Natashën të parën, sëmundja ishte krejt e beftë. Shëtitjet nga liqeni, që çifti, shoqëruar nga miqtë, ishin mësuar të bënin çdo ditë, u ndërprenë pa ndonjë arsye të qartë. Dobësia fizike që i erdhi Fatosit pa lajmërim, temperatura e lartë, e çoi menjëherë në spital, ku nuk vonoi për t’u përballur me të vërtetën. Akoma sot, që kanë kaluar gjashtë muaj nga vdekja e tij, Natasha nuk është paqtuar me idenë. Sado që natyra gjithnjë ekspresive, siç dhe rolet e saj komike në teatër a film nuk e kanë mbyllur në shtëpi. Miqtë që i ka pasur gjithnjë, kanë qenë aty për të mos e lënë vetëm. As projektet me teatrin nuk i ka mbyllur; sa të mundet do të punojë. Është një nga kandidatet për aktoren e vitit te çmimet “Kult”, që priten të shpallen më 10 qershor. Roli i Norës te “Hajdutja e bukur” ka qenë i fundit që ka realizuar, ndërsa në shtator është në pritje të një roli të ri. Është mësuar që gjithmonë, i vogël a i madh qoftë roli, të bëjë të paktën një në vit. Do t’i gjejë forcat të vazhdojë me këto ritme, sado që zërin e Fatosit, sa herë merrte tekstin e një roli në dorë nuk e ka më në shtëpi për t’u “grindur” e konsultuar. Ai iku pa shumë fjalë, siç kishte jetuar gjithnjë…
Kur Fatosi u largua nga jeta, u tha se kishte kohë që vuante… ndërsa ju ende sot nuk e keni bërë tuajën idenë e largimit të tij. Si ndodhi në të vërtetë?
Jo, Fatosi nuk vuajti dhe për këtë sot i falemi Zotit. Kur e merr një rrugë njeriu, më mirë të largohet pa u munduar shumë. Ashtu ndodhi me të. E kishim bërë zakon që të dy bashkë, ose ai me miqtë, të dilnim nga liqeni përditë për ecje. E kujtoj shumë mirë të dielën e fundit që dolëm dhe mërzitem me veten si nuk arrita të kuptoja asgjë. Vazhdimisht gjatë rrugës më pyeste “Natasha, a u lodhe?”. Unë i thosha vazhdimisht “jo”, pa kuptuar që në fakt ai po më pyeste sepse po lodhej vetë, vetëm se nuk ankohej asnjëherë dhe nuk donte ta thoshte. Nuk ecëm gjatë atë ditë, u kthyem më herët dhe menjëherë bëri dushin e u shtri, pa ngrënë drekë. Zbres për pak poshtë dhe, kur ngjitem në shtëpi, më tha “sa mirë që erdhe se mund të mos më gjeje më”. Ishte hera e dytë që kalonte një temperaturë të lartë, por për herën e parë nuk më kishte treguar. E kapnin ethe të forta e më pas temperaturë e lartë.
Këto ishin shenjat e para?
Po, temperatura që u përsërit edhe një herë, kur isha e pranishme e ishte aq e lartë sa lëvizja e krevatit m’u duk se shkaktohej prej tërmetit. Të nesërmen e kësaj dite shkuam në spital, ku iu nënshtrua disa analizave rutinë, po pa menduar se ç’përgjigje do të merrte. Të dhënat e para treguan për disa gjëndra, të cilat ai i pa dhe menjëherë e kapi gjendja e frikës. Vendosëm bashkë me djalin që ekzaminimet e mëtejshme t’i bënim jashtë, ku na i prenë shpresat menjëherë. Na thanë që ishte fundi.
Nuk iu nënshtrua as kurës që së paku vonon fundin?
Jo, këtë pyeta edhe unë menjëherë. Si mund të ishte pa bërë kimion a kurat e tjera. Sëmundja kishte përparuar aq shpejt, sa që asgjë nuk do ta shpëtonte. Nuk patëm kohë as të mësoheshim me idenë e kësaj sëmundjeje. Gjithçka nisi e përfundoi brenda një muaji. Aty në spital më kërkoi të qëndronim vetëm e më tha “të mos më çoni në teatër”.
Amaneti i tij u komentua mjaft. Ju duhet të keni folur edhe më parë për këtë gjë. Për shembull, se si në raste të tilla atmosfera mund të bëhet edhe patetike. Pse mendoni që e la këtë amanet? Apo kishte konflikte konkrete?
Jo, nuk ka pasur konflikte. Edhe atëherë kur krijoheshin, Fatosi u qëndronte gjithnjë larg, nuk përfshihej. Ju e dini, çdo ambient pune ka të vetat, por nuk bën të flas tani që ai nuk është më, e di që nuk do t’i pëlqente. Patjetër që kemi folur bashkë disa herë, sepse ne kemi qenë pjesë e një ambienti pune, me shoqëri e profesion të përbashkët. Ishte njeri shumë i thjeshtë, shumë modest. Gjërat që nuk i përtypte dot, nuk preferonte as t’i fliste.
Një bisedë që do të flisnit sot, do të ishte edhe ajo rreth çmimeve Kult… sot jeni kandidate ju, dikur ka qenë ai vetë…
Ai vetë thuajse nuk shkonte asnjëherë. Nuk bënte asnjë telefonatë për të ditur ç’do të ndodhë. Unë jam ndryshe, nuk mund të jem kaq indiferente ndaj gjërave.
Na tregoni pak për rolin e Norës te “Hajdutja e bukur”.
“Hajdutja e bukur”, vepër e autorit Ruzhdi Pulaha, është një tragjikomedi karakteresh. Në një situatë të pazakontë ndodhin një sërë intrigash, ku shpërfaqen qëllimet e botës së brendshme të secilit personazh. Dashuri, pasion, intriga, xhelozi dhe një gjyshe e dëshiruar dëshpërimisht për një trashëgimtar. Ngjarjet zhvillohen në kohët e sotme, ku hallet që personazhet mbartin janë mjaft koherente. Situatat nga njëra në tjetrën të argëtojnë pa fund. Në vepër është dhe marrëdhënia delikate nuse dhe vjehrrë. Roli im është gjyshja e shtëpisë, e cila ka vetëm një hall, të ketë një nip që të mos i shuhet dera e shtëpisë. Një personazh tipik shqiptar, e paralizuar, që ditën e kalon edhe para televizorit. Gjyshja nuk ka deri tani as nip, as mbesë dhe prandaj është e dëshiruar që të ketë një nip apo një mbesë, dhe gjithë problemi i kësaj familjeje ky është. Gjyshja e ka mendjen që nusja duhet të shkojë edhe në Amerikë që të lindë një fëmijë, pasi ndoshta atje ka shumë më tepër mundësi, sepse dihet që kanë dalë metoda të tjera për të pasur një fëmijë, shkenca dhe mjekësia kanë përparuar. Gjyshja është e fiksuar pas një fëmije në shtëpi dhe e do patjetër, por kjo gjë nuk arrihet. Por dhe gjyshja vdes në fund nga gabimet e saj.
Ju identifikoheni më shumë me rolet komike. A jeni brenda karakterit edhe me këtë rol?
Po, është e vërtetë që jam shfaqur më shumë me role komike, por duhet të dini që drama ka qenë dashuria ime e parë. Madje, në fillimet e mia i kam refuzuar rolet komike, deri sa pastaj u bënë pjesë e imja. Edhe roli i gjyshes sigurisht që ka komiken e tij, paçka se halli është i madh brenda, por gjithnjë është i trajtuar nga ana komike.