Aktualitet

Ndarja nga jeta e gruas së futbollistit Alban Hoxha, gjykata jep dënimet për dy mjekët

Gjykata ka dhënë ditën e sotme vendimin për dy mjekët, Petrit Rexhepi dhe Elona Burba, të akuzuar për vdekjen e Dorjana Hakës, bashkëshortes së ish-portierit të Partizanit, Alban Hoxha.

Sipas vendimit, Elona Burba, reanimatore, u dënua me 1 vit burg që iu konvertua në 2 vite shërbim prove si edhe pezullim license për një periudhë 2-vjeçare.

Ndërsa Petrit Rexhepi, gjinekolog, u dënuar me 6 muaj burg që iu konvertua në 12 muaj shërbim prove.

Gruaja e futbollistit, Alban Hoxha, Dorjana Haka humbi jetën në nëntor të vitit 2014, dy javë pas lindjes së fëmijës së saj të parë, ndërkohë që më 28 tetor të këtij viti Apeli shpalli pas 11 vitesh pretencën për mjekët.

Shkalla e Parë e Gjykatës së Tiranës i kishte shpallur fajtor dy mjekët për veprën penale mjekim të pakujdesshëm dhe i dënoi vetëm me 4 milion lekë të vjetra gjobë.

Në Dhjetor të vitit 2014, në maternitetin “Koço Gliozheni”, Doriana Haka lindi një djalë përmes operacionit. Por fatkeqësisht, 24 orë më pas gjendja e saj rëndohet. Doriana ndërroi jetë pas 15 ditësh në pavionin e neurologjisë në QSUT.

Një muaj para lindjes, kardiologia Sonila Bele konstatoi një problem me zemrën e vajzës, pas të cilit, ajo duhet të merrte hollues gjaku. Por para momentit të lindjes kontrollet nuk iu bënë, për të vendosur që edhe kardiologia të merrte pjesë në ndërhyrje për të mbajtur nën kontroll gjendjen e Dorianës.

Pas humbjes së jetës, u regjistrua vepra penale për dy mjekët e maternitetit, anestezisten Elona Burba dhe mjekun Petrit Rexhepi. Dy akt-ekspertimet konstatuan se moskryerja e analizave para operacionit, ishte shkaku i vdekjes së të resë.

Ekspertët mjekoligjorë Arben Lloja dhe Elmaz Shaqiri kanë konstatuar ndër të tjera se konsulta mjekësore e ekipit kirurgjikal dhe anestezist nuk është kryer. Mjekët e konsultës dhe anestezistja nuk janë njohur me problemet e zemrës që kishte Doriana. Nuk janë zbatuar procedurat mjekësore të regjimit spitalor në rastin e shtrimit të planifikuar dhe përgatitjes për operacion të të ndjerës. Shkak i përkeqësimit të gjendjes së pacientes ka qenë tromboza totale e sinuseve kavernoze të trurit në anën e tij të majtë. Rzulton që me shumë gjasa shkaku i vdekjes së pacientes Doriana Haka mund të ketë qenë arresti kardiak.

Edhe në akt ekspertimin e dytë, mjeku ligjor Sabri Hoxha ka konstatuar të njëjtat mangësi si dy kolegët e tij në akt ekspertimin e parë.