Bota

Ndërtesa 245 metra e lartë në Gjermani ku nuk jeton askush, ja arsyeja

Në lindje të “Pyjeve të Zeza” të Gjermanisë, në periferi të qytetit mesjetar të Rottweilit, qëndron një strukturë e pazakontë që ngjall kuriozitet: TK Elevator Testturm, një kullë e lartë 245 metra. Por kjo ndërtesë, që ka pamjen e një qiellgërvishtësi, nuk është e mbushur me zyra apo apartamente luksoze. Ajo është e dedikuar për një qëllim shumë specifik: testimin e modeleve të fundit të ashensorëve.

Prodhuesi gjerman i ashensorëve, TK Elevator, i njohur për furnizimin e ashensorëve në ndërtesa si One World Trade Center në Nju Jork, ka testuar këtu teknologjinë më të fundit të ashensorëve. Kjo kullë është një nga tre godina të ngjashme, së bashku me ato në Atlanta, SHBA, dhe Zhongshan, Kinë. Ajo është një strukturë masive për testimin e sistemeve të ndryshme të sigurisë dhe performancës së ashensorëve.

Përse është e nevojshme një kullë kaq e lartë? Sipas ekspertëve, ashensorët modernë janë aq të shpejtë sa kërkojnë hapësirë të madhe për të arritur shpejtësinë maksimale dhe për të testuar funksionimin e tyre në kushte reale. Pihkala, drejtori i teknologjisë në kompaninë Kone, e cilëson këtë si “pista e provave për një makinë të Formula 1”. Ndër testet që realizohen është edhe simulimi i një rënieje të lirë, ku sistemi i frenimit emergjent duhet të aktivizohet për të siguruar që askush të mos dëmtohet.

Gjithashtu, kjo kullë si atraksion turistik tërheq me mijëra vizitorë, duke u bërë një pikë e njohur turistike që ofron një panoramë të mrekullueshme të Pyjeve të Zeza gjermane, madje ka pamje deri në Alpet Zvicerane. E gjithë kulla mund të ngjitet me ashensor vetëm për 30 sekonda.