Trajneri i Polonisë, Jan Urban, është shfaqur sot para mediave për konferencën e zakonshme në prag të sfidës me Shqipërinë, në gjysmëfinalet e play-off të Botërorit. Tekniku i polakëve theksoi edhe një herë se sa e vështirë do të ishte ndeshja përballë kuqezinjve, për të ulur paksa entuziazmin e tepruar të vendasve.
“Ata fituan një ndeshje jashtë fushe në Ligën e Kombeve ndaj Ukrainës e gjithashtu fituan një ndeshje të rëndësishme dhe prestigjioze jashtë ndaj Serbisë. Dhe sipas mendimit tim, ata u paraqitën në mënyrë brilante në Kampionatin Europian. U mundën 1-0 nga Spanja, 2-1 nga Italia dhe barazuan 2-2 me Kroacinë. Kjo tregon se është një skuadër e aftë që të shkaktojë një surprizë. Uroj që të mos jetë nesër”, tha fillimisht trajneri polak.
“Kjo është ndeshja më e rëndësishme e jetës time”, tha ai, para se të theksonte edhe një herë se sa e vështirë ishte të luhej kundër Shqipërisë.
“Unë pres një ndeshje të hapur. Edhe pse Shqipëria është një skuadër e fokusuar në aspektin mbrojtës, ata janë të ndërgjegjshëm që gjithçka mbaron në këtë ndeshje. Ata kanë krijuar gjithmonë e më shumë probleme për ne në çdo ndeshje. Kjo është një skuadër me një formacion shumë stabël, pasi ka punuar me të njëjtin trajner prej tre vitesh. Ata janë shumë të organizuar dhe mundohen të maksimizojnë pikat e tyre të forta.
Skenari mund të jetë i ndryshëm. Unë do të dëshiroja që të kontrollonim ndeshjen, por nuk e dimë se si do të jetë qasja e ekipit shqiptar. Ne do të mundohemi që të luajmë në një mënyrë që t’i bëjë ata të sillen në mënyrën se si ne duam. A do ia dalim? Këtë do ta shohim vetëm nesër.
Portieri? Uroj që stërvitja e sotme të mos më ndryshojë mendje, Portieri për nesër është zgjedhur. Dëmtimet? Nëse asgjë nuk ndodh në stërvitjen e sotme, të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm për nesër”, tha Urban.