Kulturë

“Ndihmoje Parashqevinë, si motrën tënde!”, biseda me nënën e këngëtares më 1982. Diskutimet me Agim Krajkën: I ishte shkrepur më kot për karrierë të suksesshme në Hollywood, por…

Nga XHEVAT MUSTAFA/

Mua më lidhin shumë fije njerëzore e korrekte me Parashqevinë. Prandaj këto që po lexoj për atë këto ditë “aksioni me goditje të përqendruar” mediatik, po i përjetoj me keqardhje të fortë e të sinqertë!

Për përfoljet më afër thashethemeve apo për të vërtetat rreth fatit të keq, dramatik, deri rrënues… të Parashqevi Simakut, unë jam ndër ata të paktë që ndiej keqardhje të sinqertë e të disafishtë! Si bashkëqytetarë, si vajzën e një shoqeje pune prej shumë vitesh të nënës sime, të dyja punëtore në ish-Ndërmarrjen Lesh- punuese apo të qilimave në Kavajë! Nëna, nënkuptueshëm nga një kërkesë e mamasë së Parashqevisë, m’u lut që ta ndihmoja Parashen, si “motrën” tënde! Kërkesa e dy nënave u bë si urdhër për mua!

Keqardhjen për Parashqevinë e ndjej fort edhe si një nga ndihmuesit e parë apo kryesorë për pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Këngës më 1982…, i bindur se kishte aftësi për karrierë jetëgjatë muzikore e interpretative! Por, aftësitë dhe talenti, në jo pak raste e për jo pak këngëtarë e këngëtare, nuk kanë qenë vendimtare e përcaktuese! Sepse shumicës i janë dashur e i duhen edhe një mik a mbështetës me njohje, rol dhe ndikim në RTSH…!

Nga fillimi i nëntorit 1982, në një paradite me shi, në fillim të procesit të përzgjedhjes së këngëtarëve pjesëmarrës për Festivalin e 21 të Këngës në Radio- Televizion, Parashqevinë dhe të atin e saj, i solli në Radio Tirana, me dëshirën dhe lutjen për t’u futur në Festival, drejtori i Pallatit të Kulturës të Kavajës, shoku im i fëmijërisë, i gazetarisë dhe letërsisë, poeti Josif Doja. Ai dhe kompozitori Rexhep Hasimi e kishin aktivizuar në disa veprimtari muzikore në Kavajë e jashtë saj, sidomos në festivale të këngës për fëmijë! Për këtë arsye këta mund të quhen edhe zbuluesit e saj. Dolëm për t’i takuar poshtë në hollin e Radio Tiranës unë dhe drejtori Agim Papaproko, koleg dhe mik i imi! Mendimi i parë i tij ishte thjeshtë sa për ta parë e njohur Parashqevinë! Prandaj, sapo e pa, edhe me puçra në buzë nga gripi prej disa ditësh, Parashja iu duk drejtorit shumë e re apo e vogël për Festival. Më tërhoqi disa hapa larg tyre e më tha me zë të ulët e bindje të fortë:

– “Më vjen keq, Xhevo, por nuk mund të marr përsipër të vendos për ta futur puçranjosen tënde në festivalin e këtij viti! Le të vijë mbas 2- 3 vitesh!”

– Vërtetë është e re dhe në gjendje gripi, por ka zë të pjekur e të ëmbël!- këmbëngula unë! Më lër ta çoj për ta dëgjuar në Redaksinë e Muzikës! Marrim dhe opinionin e tyre…!

Ai pranoi dhe e dërgova Parashen për provë tek miqtë e mi, Spartak Tili e Ferdinand Deda! Në piano u ul Ferdinand Deda. Për fatin e mirë të Parashqevisë, ndërsa ajo po këndonte, në Redaksi erdhi kompozitori Agim Krajka. Këtij i pëlqeu si zë dhe interpretim Parashqevia! Prandaj tha me bindje;

– Kjo vajzë do të marrë një nga dy këngët e mia! Kur ia thamë këtë drejtorit ai nuk kundërshtoi më! Kështu Parashqevisë iu hap dera e madhe për në Festival. Pati sukses dhe e justifikoi!

Duke ju lutur të mos më keqkuptoni për vetëmburrje, për rënie në rolin e Belulit, nuk mund të mos mendoj e shprehem me bindje për një të vërtetë, që e dinë shumë mirë ish-kolege dhe kolegë të mi në Radio Tirana e në RTSH si dhe ish-drejtues e punonjës në Shtëpinë e Kulturës në Kavajë! Po të mos ishte dashamirësia e këmbëngulja e shokut tim të fëmijërisë, Josif Doja për ta sjellë në RTSH; po të mos ishim ne të dy si vëllezër e po të mos isha unë, Xhevat Mustafa, në vitet 70 e 80 dikushi dhe me miqësi në drejtimin e Radio Tiranës; po të mos thyhej e të mos ndërronte mendim drejtori i Radio Tiranës Agim Papaproko; po të mos kishte ardhur rastësisht në ato minuta në zyrën e Redaksisë së Muzikës, Agim Krajka, me 99.999% si rezultatet e palozgjedhjeve në kohën e Enverit dhe Ramizit, e talentuara apo “ylli” Parashqevi Simaku do të kishte mbetur një këngëtare amatore e provinciale, si plot të tjera e të tjerë në Kavajë dhe mbarë Shqipërinë, duke ndriçuar zbehtë apo duke “u shuar” në qytetin e saj të lindjes…! Këtë të vërtetë 42 vjeçare ia kam “kujtuar” dhe thënë në sy në dalje të Estradës se Tiranës nga ana e Muzeut Historik Kombëtar, një paradite pranvere më 1992, të nesërmen e mbrëmjes, kur në një intervistë me Adi Krastën, e kishte “harruar” përsëri rolin tim parësor e vendimtar për realizimin e ëndrrës së saj për të marrë pjesë në një Festival Kombëtar të Këngës në RTSH! Po të mos ishim ne të katërt kjo dëshirë do t’i mbetej ëndërr gjatë gjithë jetës e nuk do të bëhej as yll, as dive, as një nga “mbretëreshat” e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme…! Këtë e dinte qysh në fillim Parashqevia, por kur u bë “e madhe”, e mirëpritur në zyra drejtorësh të lartë, anëtarësh të Byrosë Politike…, nuk e kujtoi më! Edhe më popullorçe: kur u bë e njohur dhe hynte pa trokitur në zyra drejtorësh dhe partiakësh të lartë, “deshësh” apo “cjepësh” nuk kishte më nevojë dhe interes për ne “gjingjat” dhe “kecat”!? Me shumë gjasa, më tepër nga mosmirënjohja se sa nga “harresa”!?

Disa muaj para se të vdiste u takova me Agim Krajkën në një nga Bar- kafetë në Pallatin ku dikur ka qenë Kinema “17 nëntori”, tek Galeria mbush me Bar- kafe në të dy anët.

U ulëm tek Kafe “Lemza”, që mbante edhe titullin e këngës së tij në Festivalin e Parë të Këngës në RTSH, në fund dhjetor 1991. Kjo këngë ritmike, që përfitoi gjallëri e emocione edhe nga këngëtarja Vaçe Zela, për pak e dogji qysh në fillim Krajkën e ri…Shpëtoi vetëm me një ndalim për një kohë të transmetimit të kësaj kënge e një “dush” me kritika!

Biseda na çoi edhe tek emri dhe fati i Parashqevisë.

-Sinqerisht më vjen keq si për vajzën time për Parashen! E kemi mbajtur disa muaj edhe në shtëpinë tonë në New York, edhe se nuk kishte akoma një shtëpi të vetën, edhe për ta kursyer, edhe për t’ia ndërruar mendjen dhe vendimin…Nuk e merr me mend se sa shumë i jam lutur të bashkohej me orkestrën time të vogël për dasma shqiptarësh në Amerikë!? Ti e di se është punë me fitime të mëdha për plot këngëtarë e këngëtare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi…Nuk po të përmend emra, sepse janë shumë…Nuk pranoi, sepse i ishte shkrepur më kot për karrierë të suksesshme në Hollivud! Tani, prej vitesh nuk i ka punët mirë as me shëndetin dhe as me profesionin…! Me sa duket nuk ka dalë kot ajo shprehja e popullit “Koka bën e koka pëson!”

Gjykoj se për fatin e Parashqevisë arsyet apo shkaqet mund të kërkohen më shumë tek ajo vetë, tek fati, zgjedhja e saj, tek dëshira për një hop të madh në karrierë…! Kështu është jeta: me “fluturime” e “rrëzime” krahëthyer, me të përpjeta e tatëpjeta!

Në këtë kënd vështrim, nuk është as e para e as e fundit…! Amerika i dha Parashqevisë leksionin e hidhur dhe masiv se është mirë që çdo njeri të mendohet thellë e gjatë për zgjedhjet dhe rrugët që merr në jetë, që këto të jenë sa më brenda aftësive dhe mundësive për realizim, që mos të mashtrohet nga ambicie të tej zmadhuara e të parealizueshme si ëndrrat!

Tani, kur është duke përjetuar një periudhë të zgjatur të vështirë na mbetet ta urojmë: e ndihmofshin Zoti, fati, rastësia, AMERIKA, kushdo që ka dëshirën e mundësi financiare…ta kapërcejë këtë gjendje të vështirë dhe depresuese…!

Mos krijoni dhe zmadhoni “yje”, sepse e kemi plot “qiellin shqiptar” !

Qysh në fillim kur u dha urdhri apo u telekomandua “show i radhës e më i freskët, domethënë ai Parashqevi Simaku, ka rënë në sy e veshë një fluks epitetesh dhe emërtimesh për atë në media dhe në rrjete sociale. Ndër më të përdorurit e më me superlativa të pamerituara janë “ylli”, mbretëresha”, “ikona”, “diva”…e Muzikës dhe Këngës Kombëtare Shqiptare!? Ndërsa për saktësi, drejtësi, objektivitet…mund të përdoreshin formulimet jo në superore apo siperore: “njëra nga yjet”, “njëra nga mbretëreshat”, “njëra nga ikonat”, “njëra nga divat”…! Për të qenë sa më gjërëvështrues, do të ishte më drejtë nëse “thesari” i këngëve të Parashqevi Simakut, si dhe i çdo shkrimtari e artisti të të dy periudhave, ndahet në këngë të “hambarit të realizmit socialist” dhe në të “THESARIT” të këngës popullore e lirike! Të parat, pa mëdyshje të zgjatur, pa dhimbje e keqardhje, mund të lihen në fonoteka dhe histori! Sepse me këto në kohën e realizmit socialist, me zërin e Parashqevisë… Enver Hoxha dhe Ramiz Alia me kopenë e partiakëve dhe pushtetarëve të tyre, na kanë mashtruar trashë e na kanë bërë të ndjehemi sikur në të vërtetë ishim parajsë, vendi më demokratik e populli më i lumtur në botë!? Të dytat, domethënë këngët popullore e tufa e vogël e këngëve nga 1991- 1994, duke mos qenë partiake apo të politizuara, kanë jetëgjatësi të madhe apo përjetësi!

Një këshillë për të gjithë këta shqiptarë të pakursyer apo bujarë për me i përmbyt të adhuruarat e të adhuruarit e tyre, krejt subjektivisht e pa meritë, me epitete shumë larg të vërtetës! Mos sajoni e shtoni yje e ikona, kolosë dhe gjeni, se kemi me bollëk nga koha e gjase komunizmit dhe e “realizmit socialist”!!! Por, me humor, edhe copa e qiellit mbi tokat shqiptare sikur është plot e nuk ka më vende të lira!

Në të vërtetë, Parashqevi Simaku ishte një këngëtare e talentuar, me zë të ëmbël dhe femër e bukur…Të gjitha këto e bënë të suksesshme, masivisht të pëlqyer! Kaq është boll e mjaftueshëm! Nga dëshirat subjektive të secilit nuk mund të vihet apriori apo “shqiptarisht” as mbi e as fare poshtë Tefta Tashko Koços, Marie Krajës, Fitnete Rexhës, Havsa Zyberit, Nexhmije Pagarushës, Vaçe Zelës, Shkurte Fejzës, Mihrie Brahës, Inva Mulës, Irma Libohovës, Aurela Gaçes, Merita Halilit, Eli Farës, Ermonela Jahos…! Dhe as më parë apo as më pas disa të tjerave, më herët apo më vonë, pa i peshuar të gjitha me “kandar farmacie” e jo tregjesh nëpër trotuare ose në sheshe të shumicës…! Vendin e Parashqevisë, më mirë se të gjithë ne admiruesit e saj nga skenat, ekranet, rrjetet sociale…, mund ta gjejnë dhe përcaktojnë kritikët muzikorë, kompozitorë, këngëtarë e këngëtare me diploma e tituj zërash e djerse, me pasuri krijuese dhe interpretuese nga fusha e muzikës popullore, të lehtë, lirike, operistike…! Pa harruar, edhe specialistë të afirmuar, jo enveristë, por të mirëfilltë…nga Kosova, MV, Mali i Zi, Diaspora!

Përse “u zbulua” këto ditë në Amerikë “ylli” Parashqevi Simaku?

Qofsha i gabuar, por kam dyshimin se “zbulimi” i Parashqevi Simakut në Amerikë, që paska “harruar” me fol e kuptue në SHQIP dhe fushata mediatike e në rrjete sociale për atë në Shqipëri, u bë nga një “burim” apo qendër “inteligjence artificiale” në mes të Tiranës, pikërisht në këto ditë! Merret me mend arsyeja: me skenarin apo qëllimin, për të larguar vëmendjen nga skandalet dhe dosjet Olta Xhaçka dhe Erion Veliaj- Ola Xoxe, qoftë edhe një pikë a një ditë…!

E shpreh bukur, me flakërimë e bindshëm poetesha e mirënjohur Irena Dragoti:

“…Përse nuk mendoni se ajo video e cinizmit gazetaresk u hodh si “mish për top” në momentin më të vështirë për një politikan në Tiranë, të cilin dhe pse ka bërë 1001 të ligat e kësaj bote nuk e ka lënduar askush as me 1 fjalë të vetme?? Pra, këta jemi ne nëse të gjejmë të dobët, të pambrojtuar! Të “hamë të gjallë”, në të kundërt të puthim këmbët. “Video e bukur”, “Shkrim i bukur”…për faktin e vetëm se po sulmohet një grua!? Duan të mundin një grua! Sa turp…!?”

Duke e zgjeruar mendimin e Irenës, edhe për “të droguar” një shoqëri e popull tërë! Kuptohet fare lehtësisht “strategjia e regjisoreve”: për të harruar” 1001 hallet e Shqipërisë e të shqiptarëve si dhe pisllëqet e politikanëve e të qeveritarëve!!!