OpinionPolitikë

Ndryshimet e ministrave, si përdhosje e Kongresit

Nga Andi Bushati

Edi Rama mund ta zgjonte nga gjumi Bajaram Begajn gjatë çdo lloj të diele të zakonshme, për t’i dorëzuar dekretet për ministrat e rinj.

Ai mund të ishte treguar më i kujdesshëm me Niko Peleshin, që nxitoi të shpallte se ndihej i lumtur që nuk qe konsultuar as për trajektoren e fatit të vet.

Ai mund të kish zgjedhur foltoren e kryeministrisë për të shpallur ata që do degradonte apo do largonte nga kabineti dhe të rinjtë që do propozonte aty. Por ai preferoi t’a bëjë pikërisht gjatë kongresit të PS-së, të cilit i’a kishte ndryshuar disa herë datën në funksion të kapriçove të çarterit të vet.

Fakti që kryeministri zgjodhi këtë formë për të shpallur “surprizat e reja”, nuk është, as i rastësishëm, as i pafajshëm. Mesazhi qe i qartë: kongresi si forumi më i lartë i PS, nuk është asgjë tjetër veçse një vegël në shërbim të gjithëpushtetshmërisë së vet.

Në të vërtetë, i gjithë show-u i kësaj të diele fundkorriku ishte konceptuar si i tillë, si një him për madhështinë e prijësit që vendos i vetëm. Kjo u pa në performancën e turpshme të students Helenë, që lexoi fjalimin e parapërgatitur me fabulën e gjyshes së saj, që bënte be për udhëheqësin dhe besonte sy mbyllur se premtimet e tij do realizoheshin. Ajo u duk në venerimin që ministrja e negociatave tregoi për kohën e lavdishme kur i kish ndritur fati për të punuar me liderin e ardhshëm. Ajo vezëlloi me emfazën e ministres së fëmijëve, që këtë herë e shprehu përdëllimin e saj pa gafa të dukshme. Ajo shpërtheu me frazat e Mamicës që qe dëshmia më e qartë se servilizmi dhe lëpirja shpërblehen një ditë.

Të gjitha ato që u thanë me fjalë në tribune, për pushtetin absolut të një njeriu të vetëm, u konkretizuan edhe me mënyrën pa dinjitet sesi ai i serviri kongresit tekat e tij për qeverinë. Ashkush nuk e mori vesh për çfarë arsyeje iku Taulant Balla nga ministër i Brendëshëm. A kish punuar mire, apo keq? A i shërben më shumë partisë si polic, apo si roje i deputetëve? Në fund të fundit, se çfarë bëri ai në gati një vit në krye të njërit prej dikastereve më të rëndësishme? Po në më pak se dhjetë muaj, cili qe impakti i Ervin Metes te Financat? A ishin të vërteta aludimet se ai nuk hidhte firmat për çdo fantazi të çartur me synime grabitqare? A meritonte një diskutim forumi më i lartë i PS-së për ndryshimet në ministritë më të rëndësishme si Rendi, Financat dhe Mbrojtja? A mundej dikush të kishte ndonjë propozim më të mirë sesa të panjohurit nga publiku i gjërë: Ervin Hoxha, Petrit Malaj apo Piro Vengu?

Natyrisht le të mos bëhemi naivë. Askush nuk mund të priste nga Rama të konsultohej me të tjerë, se kë zgjedh ushtarë apo sejmenë për veten e tij. Këtu ai është koherent dhe na ka mësuar prej kohësh me këtë personalizim të skajshëm.

Por ajo që pritej, qe që së paku ai të tregonte më tepër skrupuj formalë dhe mos ta mblidhte forumin më të lartë të partisë, thjesht si sfond me ngjyra, ku shpall fermanet e veta.

Begajn mund ta zgjonte kur të donte, vendin mund ta zgjidhte si të kishte qejf, po Rama kongresit mund ti’a shmangte këtë përdhosje. Jo për gjë, por sepse ajo që duket si një sjellje koherente, në këtë rast pillte një kontradiktë dhe një paradoks të madh.

Shefi dhe ministrat e tij folën gjatë me fjalë për pratformën « deputeti që duam ». Ata i bënë thirrje militantëve që të zgjidhnin vetë përfaqësuesit e tyre, të ishin aktivë, të bënin propozime, të mobilizonin dhe të tjerët, për të pasur më shumë zë në vendimmarrje.

Po pyetja bëhet: ç‘kuptim ka të propogandosh të tilla pallavra, kur në fund jep mesazhin e fortë se vendimet merren unilateralisht nga lart dhe pa konsultim me askënd ?

Ç’do mendje normale këtu do të kapte një kontradiktë mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet.

Por as kjo, ndoshta, nuk ka qenë një rastësi. Profile të shumta autokratësh apo diktatorësh, në kohë dhe hapsira të ndryshme, tregojnë se pas nënshtrimit ata kanë kënaqësinë perverse t’i tallin turmat që i’u këndojnë hosana. Me gjasë kjo ka ndodhur në atë sallë pallati kongresesh, të ideuar që në gjenezë për shfaqe të tilla, ku nga njëra ana shefi i ftonte pjesmarrësist të ishin aktivë e të jepnin mendime dhe nga ana tjetar i trajtonte si kukulla që thjesht aprovonin vendimet e marra.