Punime pa cilësi dhe ndarja e parave të tenderëve duke i vjedhur nga buxheti dhe futur nëpër xhepa, janë shkaqet kryesore të shembjes së rrugëve në të gjithë vendin, duke shkaktuar kaos në infrastrukturë dhe jo fatkeqësitë natyrore.
Kështu u shpreh sot në studion e “News 24” eksperti i ekonomisë pranë Partisë Demokratike, Dorjan Teliti.
Ai shpjegoi se mjafton që të shohësh dosjen e zv/kryeministres së shkarkuar, pezulluar dhe të pandehur nga SPAK-GJKKO, Belinda Balluku, për të parë edhe shkaqet e shembjes së rrugëve njëra pas tjetrës dhe izolimit të vendit.
Sipas Telitit, tenderët e rrugëve ndahen me mesazhe, me paracaktime ashtu sikurse edhe paratë e taksapaguesve shqiptarë që ndahen në tre pjesë mes zyrtarëve, ndërtuesve dhe supervizorëve, duke sjellë edhe këtë kaos. Ai tha se as rrugët e Zogut dhe Enver Hoxhës nuk janë shembur siç po ndodh me ato të qeverisë “Rama”, që “do shkruhen në histori”.
“Këto janë investime historike dhe në të gjithë historinë shqiptare nuk ka ndodhur që të rrëzohen rrugët në këtë mënyrë. Do shkruhet në histori, sepse nuk janë rrëzuar rrugët as nga qeveria e Zogut, as nga të Enver Hoxhës, as të Berishës, as të Majkos dhe Metës. Por po shemben rrugët që janë ndërtuar nga qeveria Rama. Pse nuk shemben objektet e tjera, sepse atje është punuar me cilësi, kurse tek këto u punua pa cilësi. Sepse për çdo tender do paguash 30%, po do paguash supervizorin, dhe me radhë”, u shpreh këshilltari bashkiak i PD në Bashkinë e Tiranës.
Teliti sqaroi se ndërtimi i rrugëve në Shqipëri shkon më shtrenjtë edhe se në Holandë apo Zvicër, sepse qëllimi është vetëm vjedhja dhe ndarja e parave. Dhe e pëson cilësia dhe rezultati është shembja e tyre dhe izolimi i qytetarëve.
“Rrugët janë ndërtuar shprehje e një abuzimi të qëllimshëm, vjedhje nga fondi i shtetit. Është vjedhje dhe korrupsion, nuk merren masa në asnjë sektor të rëndësishëm, kurse në tendera ndërhyjnë të gjithë. Në Shqipëri kushton kilometri më shumë se në Zvicër dhe Holandë dhe ky është ashiqare abuzim me fondet. Mjafton të shikosh se si janë bërë punimet, pa cilësi, pse? Sepse janë vjedhur paratë, i kanë futur në xhepat e tyre dhe i kanë ndarë mes tyre, zyrtari, supervizori dhe ndërtuesi”, tha ai.
Eksperti nënvizoi se punimet janë skandaloze pothuajse në të gjitha investimet e mëdha të kësaj qeverie në infrastrukturën rrugore. Dhe kjo del qartë edhe në dosjen “Balluku”, ku tenderët ndaheshin me mesazhe.
“Punimet e rrugëve janë bërë në mënyrën më skandaloze, kurse këta thonë fatkeqësi natyrore, kryeministri justifikohet me fatkeqësinë natyrore, sepse nuk kanë çfarë të thonë ndryshe. Kjo është e qartë edhe në dosjen Balluku, ku nuk flitet për cilësi dhe rregullime, por se si do ndahen tenderët dhe paratë, kush do e marri prokurimin dhe se si do ndahen”, vijoi ai.
Teliti kritikoi edhe kryeministrin Rama, për të cilin u shpreh se vetë udhëtonte me helikopter, kurse qytetarët e juglindjes u izoluan për gati dy javë.
“Kryeministri udhëtonte me helikopter, kurse juglindja qëndronte për 11 ditë e bllokuar. Qytetarët nuk merrnin dot as shërbimet shëndetësore të nevojshme” deklaroi ai.