“Në Tiranë rrezikova jetën”, ish-futbollisti i bardhebluve e ka seriozisht: Mos u tallni, Leao do ishte në pankinë në ekipin tim
Kujt i kujtohet Namdi Oduamadi? Sulmuesi nigerian zbarkoi në futbollin shqiptar me shumë bujë në vitin 2018, pasi në të kaluarën e tij, kishte qenë pjesë e Milanit. Atij të fundit që kishte fituar titullin kampion nën drejtimin e Masimiliano Alegrit.
Jo si protagonist kryesor, kuptohet, por si pjesë e ekipit të të rinjve, duke ia dalë gjithsesi të debutonte në Serinë A në një ndeshje, duke luajtur më pas i huazuar në skuadra si Torino, Breshia apo Krotone. Megjithatë, ai nuk la gjurmë në Shqipëri, duke luajtur vetëm 13 ndeshje. Por atë periudhë, lojtari nuk do ta harrojë kurrë, siç ka treguar në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport”.
“Në Tiranë kam rrezikuar jetën, pasi një mbrojtës më shkeli klavikulën. Falë Zotit mbijetova dhe mundem ende të luaj futboll. Por prej asaj situate qëndrova i ndalur për dy vite”, tregoi Oduamadi, i cili prej vitesh luan mes amatorëve në Itali, ndërsa nuk harron të kujtojë vitet e arta të Milanit. Sipas tij, ai ekip nuk krahasohet me këtë aktual sa i përket përbërjes.
“Alegri nuk ka ndryshuar një presje, është gjithmonë shumë i fortë. Por sigurisht lojtarët kanë ndryshuar, uria është e ndryshme. Nuk ka më lojtarë unikë si Ibra, Gatuzo, Pirlo, Nesta, Ronaldinjo… dhe Oduamadi (qesh).
Një që mund të luante edhe atëherë titullar? Modriç, pa dyshim. Është një profesor.
Leao? Mos u tallni. Në atë Milan luanin Pato, Ronaldinjo, Ibra, ku do ta vendosnit Leaon? Do të kishte qëndruar në stol, e pashmangshme”, tha ish-futbollisti i Tiranës ndër të tjera në intervistën e tij.