Personat që i hynë politikës vitin e fundit rezultojnë me pasuri miliona euro. Deklarimet zyrtare tregojnë në krye të piramidës biznesmenin Vasil Llajo dhe mjeken që u bë ministre Evis Sala. Surprizë është Ana Dajko, deputetja aksidentale e partisë së Lapajt, me pasuri 1 milionë euro.
Shqiptarët e varfër paguajnë miliona për agallarët e Kuvendit për qira, makina, karburant, telefon dhe dieta, ndërkohë që nga shtatori i vitit 2025, politika shqiptare nuk u rinovua vetëm me fytyra të reja, por edhe me bilance që do t’i kishin zili shumë korporata. Deputetë “të rinj”, ministra surprizë dhe figura që deri dje qëndronin në hije, u shfaqën në skenë jo vetëm me mandate, por edhe me pasuri marramendëse, që shtrihen nga dhjetëra mijëra euro deri në dhjetëra milionë. Një rifreskim politik, por financiarisht më shumë një déjà-vu.
Në krye të listës qëndron deputeti socialist dhe sipërmarrësi i shëndetësisë, Vasil Llajo, një emër që dominon renditjen si “manjati” i Kuvendit. Me një pasuri neto prej rreth 13.68 milionë eurosh, Llajo zotëron mbi 20 pasuri të paluajtshme, nga apartamente e godina deri te toka bujqësore, si dhe një perandori laboratorësh mjekësorë. Përtej pronave, ai shfaqet edhe si një “bankë private”, duke deklaruar hua për palë të treta që kapin qindra miliona lekë dhe qindra mijëra euro.
Surpriza e Edi Ramës në shtator, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, vjen me një portofol që flet më shumë anglisht sesa shqip. Me një pasuri neto rreth 5.31 milionë euro, Sala spikat për fonde investimi miliona euroshe, llogari pensioni në USD dhe GBP, si dhe investime jashtë vendit. Apartamentet luksoze në Shqipëri janë vetëm maja e ajsbergut në një profil financiar të ndërtuar kryesisht në tregjet ndërkombëtare.
Ish-gjyqtari i shumëpërfolur Gjin Gjoni, renditet ndër më të pasurit e Kuvendit me dy vila me vlerë rreth 1.3 milionë euro. Por ajo që bie më shumë në sy nuk janë vilat, por huatë, 12 hua të dhëna nga vetë Gjoni me vlerë 170 mijë euro dhe plot 44 hua nga bashkëshortja e tij, Elona Çaushi, që kapin shifrën e 600 mijë eurove; një bujari financiare që ngre më shumë pikëpyetje sesa admirim.
Ana Dajko, deputetja “aksidentale” e Partisë së Adriatik Lapajt, rezulton një tjetër emër i rëndë në këtë panoramë. Me mbi 1.19 milionë euro pasuri, ajo zotëron aksione në “Dajko-Koci SHPK”, depozita bankare dhe fonde investimi të shumta. Edhe pse me rol politik thuajse pasiv, profili i saj financiar është gjithçka tjetër veçse i heshtur.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, shfaqet si “zyrtari i shtresës së mesme të lartë”. Me 162,783 euro pasuri, dy apartamente, një makinë të dhuruar dhe kursime bankare, ai mbetet larg milionerëve të listës, por gjithsesi jashtë narrativës së varfërisë, që shpesh shoqëron diskursin e forcës së tij politike.
Tek deputetja socialiste Sara Mila, pasuria personale është modeste, rreth 33 mijë euro, por tabloja ndryshon rrënjësisht kur hyn në lojë partneri i saj, Aleksandro Bardhi. Së bashku, çifti arrin një pasuri mbi 1.13 milionë euro, me apartamente, garazhe, vreshta, ullishte dhe 25% të aksioneve në industrinë metalurgjike “Anmetal”, duke krijuar një simbiozë tipike mes politikës dhe biznesit.
Admir Kadeli ka një pasuri të deklaruar prej 132,056 eurosh, por kjo nuk pasqyron tokat dhe pyjet e trashëguara nga i ati, duke e bërë një “latifondist” të vërtetë. Përveç llogarive bankare dhe mjeteve rrugore, ai ka tokë në masë, që mund të mbulojë disa fshatra, edhe pse deklarimi nuk e nxjerr këtë pasuri të vërtetë.
Xhenis Çela ka pasuri rreth 111,133 euro, duke kombinuar apartamente, mjete transporti dhe aksione në klub futbolli dhe kompani private. Nga pamja, mund të duket si një vajzë urbane e zakonshme, por kur të shohësh llogaritë dhe aksionet, duket qartë se sporti dhe politika mund të ecin krah për krah me kapitalin.
Në fund të renditjes qëndron deputetja më e re e PS-së, Zegjine Çaushi, me rreth 19,944 euro kursime. Pa pasuri të paluajtshme, pa aksione dhe me të ardhura kryesisht nga paga, ajo përfaqëson profilin më të thjeshtë financiar në një Kuvend ku milionat duket se janë bërë standard.
Në total, kjo panoramë e deputetëve të rinj tregon se ndërrimi i brezave në politikë nuk ka sjellë domosdoshmërisht ndërrim realitetesh ekonomike. Nga “manjatë” të shëndetësisë te ministra me fonde ndërkombëtare dhe deputetë me hua të dyshimta, politika shqiptare vazhdon të rifreskohet në emra, por jo në kontraste.