Politikë

Nga protesta e tretë kombëtare te ‘bashkimi’ i Sulës me Ramën, Zhupa flet për situatën në PD; çfarë parashikohet

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka komentuar zgjedhjen e ish-deputetit demokrat Dashnor Sula për t’iu ‘bashkuar’ PS, i cili tashmë mban postin e Inspektorit të Përgjithshëm.

Zhupa tha se zgjedhja e tij është komenti më i mirë për situatën, ndërsa mohon që Berisha ta ketë përjashtuar nga partia duke mos e përfshirë në listën zgjedhore të parlamentareve më 11 maj.

“Karriera politike nuk është vetëm të qenurit ose jo deputet”, tha Zhupa, duke lënë të nënkuptuar që ishte zgjedhja e Sulës për të mos qenë më as pjesë e strukturave të PD-së dhe pas zgjedhjeve.

“Çfarë të komentoj, është zgjedhje personale. Sula ka qenë opozitar shumë i mirë. Tani të tjerat i komenton vetë zgjedhja e tij. Rama  nuk ndryshoi si kryeministër, është i njëjti që kundërshtoi Dash Sula gjatë 2021-2025. Kontributin me demokratë që i kanë besuar, me forcën politike, atë që përfaqëson dhe çfarë dëshiron të bëjë më tij, është i lirë dhe nuk kam komet, nuk di të jetë përjashtuar nga partia. Në dijeninë time karriera politike nuk është vetëm të qenurit ose jo deputet, absolutisht nuk është përjashtuar. Ne kemi një vendimmarrje nga strukturat dhe është pjesë e statutit që ata që bëhen pjesë e qeverisjes, nuk janë më anëtarë të PD”, tha Zhupa për “Report Tv”.

Ndërkohë 4 ditë më vonë, Partia Demokratike ka thirrur protestë e tertë kombëtare, pas asaj të dhjetorit dhe muajit që lamë pas. Qëllimi është rrëzimi i qeverisë së Edi Ramës dhe ajo e krijimit të një qeverie teknike, synime këto që nuk arrihen vetëm me një protestë të vetme, thotë Zhupa. Ndërkohë deputetja shton se PD nuk ka përjashtuar asnjë skenar për arritjen e qëllimit. Në dy të fundit janë përdorur flakadanë drejt godinës së kryeministrisë dhe gur e dhunë drejt oficerëve të policisë.

“Protesta është mjeti që kanë qytetarët për t’iu dëgjuar zëri, është instrument demokratik. Protesta nuk mund të jetë 1 dhe vetëm. Protestat vazhdojnë, ne kemi nisur protestat me qëllim të qatë, realizimin e një qeverie teknike. Opozita ka bërë dy protesta, kjo është e 3-ta kombëtare. Nuk kemi përjashtuar asnjë skenar dhe asnjë formë për të realizuar qëllimin. Kjo protestë ka të njëjtin qëllim, shtohet irritimi dhe zemërimi i qytetarëve sepse shtohet përditë zullumi politik”, tha deputetja.

Deputetja foli dhe për bojkotin e komisionit për hartimin e reformës territoriale. Zhupa e kundërshton këtë duke thënë se as Berisha nuk ka kërkuar diçka të tillë. Ajo thotë se PD qëndron kundër komisioneve ku mazhoranca ka për qëllim të imponohet.

“Kurrë nuk kemi marrë vendim për të bojkotuar parlamentin. Berisha ka thënë që nuk do të shkojmë në komisione ku imponohet maxhoranca. Ne në territorialen jemi me bashkëkryesi. Detyrohesh nga rregullorja qe dy bashkëkryetarët duhet të vendosin një agjendë, ky është minimumi. Në momentin që PS nuk e bën këtë, patjetër që nuk kemi marrë pjesë. Ata kanë votat ne kemi argumentin. Duke qenë në Komisionin e Territoriales, të fitojnë argumentet mbi votat”, tha Zhupa.