Nesër luhet një super takim sa i takon Superiores. Dinamo përballet me Partizanin në një derbi që ka filluar të pushtojë kryeqytetin.
“Demat” janë një ekip i ndryshuar që nga përballja e fundit ndaj skuadrës së Ilir Dajës. Kujtojmë që sfida e fudnit mes dy klubeve rivale është zhvilluar më datë 9 të nëntorit të kaluar. Në atë ndeshje triumfonin të kuqtë me rezultat 1-2 falë golave të Carës dhe Rrapajt.
Pikërisht, dy “yjet” e ekipit të Veselinovic që fundosnin Nëndetësen nuk janë më pjesë e klubit. Kjo tregon shumë për ndryshimin e organikës. Në atë takim të mbajtur në “Elbasan Arena”, pasi dinamovitët ishin pritës ishin të pranishëm dhe Mba, Kote apo dhe i përhershmi në portë Pano Qirko.
Tabloja paraqitet e ndryshme që nga ajo herë, pasi gardiani dhe Kote janë në diskutim prej lëndimeve, ndërsa Mba i është shtuar elementëve të shitur drejt Ukrainës. Pjesa tjetër duket po ajo tek Partizani, por kësaj radhe nuk dihet se kush do të mund të bëjë heroin ndaj një Dinamo shumë të fortë dhe më të konsoliduar se herën e fundit që këto dy ekipe lanë vendtakim.
Për herë të fundit ndaj Partizanit, për djemtë e Dajës shënonte Zabërgja. Ndryshe nga rivalët kryeqytetas blutë ndoqën strategji tjetër dhe nuk shitën diamantet e nevojshëm për luftën drejt titullit, të paktën deri në këtë fazë të merkatos.
Daja si një ekspert që është ka ruajtur boshtin dhe “Nëndetësja blu” duket po ajo që u përballë vitin e kaluar në Elbasan. Sulmi i besohet dardanit dhe Mandelas, teksa në mbrojtje mungon kapiteni Dita me shumë mundësi për arsye të lëndimit para ndeshjes me verdheblutë. Edhe porta mund të shohë Teqjan në vend të Salit, pasi ky i fundit nuk u preferua ndaj elbasanasve. Disa rotacione të pakta, por po ai bosht lojtarësh.
Nga Dinamo-Partizani te Partizani-Dinamo është një kohë e gjatë sa i takon aspektit sportiv dhe lëvizje kanë ndodhur në të dy kampet. Sidoqoftë kësaj here luhet për kreun dhe në një derbi kushdo mund të dalë fitimtar.