La 63 mijë euro paga mujore në Itali e Angli për 2250 euro në Tiranë, por në 6 muaj ministri solli vetëm rritje të çmimeve të ilaçeve dhe pazare me klientët e qeverisë… Evis Sala u prezantua nga Edi Rama si emër ndërkombëtar që do të ringrinte shëndetësinë shqiptare, por bilanci i parë i mandatit të saj ka sjellë rritje çmimesh të barnave të rimbursuara, heqje ilaçesh për sëmundje kronike dhe favore për kompani të lidhura me tenderët. Vendimi për të lënë paga të larta jashtë vendit dhe për të marrë drejtimin e një sistemi të degraduar ngre dyshime për motivin real të emërimit, sidomos në kushtet kur shëndetësia vijon të mbetet terren pazaresh dhe jo reformash reale.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, është ndër mikeshat familjare të Edi Ramës, të cilat ai i solli nga jashtë vendit dhe u dha poste të larta në qeveri dhe administratën publike.
Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, kur njoftoi emërimin e saj, dhe më pas para drejtuesve të mjekësisë kur e prezantoi zyrtarisht, kryeministri Edi Rama deklaroi se me Evis Salën, “shkencëtaren e njohur në Europë dhe në botë”, nis rrugëtimi i standardeve “Shëndetësia Moderne 2030”.
Shumëkush shprehu çudi se si një shkencëtare e fushës së mjekësisë, e cila jetonte dhe punonte jashtë Shqipërisë dhe prezantohej si emër i njohur ndërkombëtarisht, mori përsipër drejtimin e shëndetësisë shqiptare, në një kohë kur gjendja e saj është alarmante në çdo aspekt.
Sidomos tre ministrat pararendës, Ilir Beqaj, Ogerta Manastirliu dhe Albana Koçiu, gjatë 12 viteve pushtet të PS-së, e degraduan shëndetësinë përmes mungesës së pajisjeve dhe ilaçeve, emigrimit masiv të mjekëve dhe infermierëve, mungesës së shërbimit mjekësor në zona të tëra dhe vjedhjes së fondeve përmes tenderëve dhe koncesioneve.
Ndoshta Evis Sala ka “shkopin magjik” për të ndryshuar këtë situatë të rëndë, por çudia qëndron në faktin se ajo la punët e saj mjekësore në Itali dhe Angli, me tri paga mujore që në total arrinin 63 mijë euro, për të marrë një pagë mujore prej vetëm 2250 euro neto si ministre e Shëndetësisë në Shqipëri.
Ministrja Evis Sala paguhej 21 mijë euro në muaj në Universitetin “Cattolica del Sacro Cuore” në Itali, 27 mijë euro në muaj në kompaninë studimore mjekësore “Lucida Medical” në Mbretërinë e Bashkuar dhe 15 mijë euro në muaj si rektore e universitetit privat “Western Balkans University”.
Gjatë gjashtë muajve në detyrë, i vetmi “reformim” që ka ndërmarrë Evis Sala në shëndetësi ka qenë rritja e çmimeve të barnave të rimbursuara, heqja nga lista e rimbursimit e disa ilaçeve të shtrenjta për sëmundjet kronike të rënda dhe futja në këtë listë e disa kompanive farmaceutike të miqve të saj.
Ministrja Evis Sala është përfshirë hapur në pazare korruptive me tenderët e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore, pikërisht me ato kompani që favorizonin edhe pararendësit e saj Ilir Beqaj, Ogerta Manastirliu dhe Albana Koçiu, madje duke rritur vlerat e fondeve limit të tenderëve.
Kjo përfshirje në tenderët e shëndetësisë krijon dyshime të arsyeshme mbi motivin e vërtetë se përse Edi Rama e solli Evis Salën në Shqipëri dhe e emëroi ministre.
Nuk është e vështirë të kuptohet pse Evis Sala la punët me tri paga mujore që arrinin 63 mijë euro në Itali dhe Angli, për të marrë 2250 euro si ministre dhe për t’u përballur me gjendjen kaotike të shëndetësisë shqiptare, kur jeta profesionale e saj jashtë vendit ishte e qetë dhe e sigurt.
Por miku i saj, Edi Rama, i ofroi edhe Evis Salës të njëjtën mundësi që u ka ofruar të tjerëve të sjellë nga jashtë Shqipërisë: mbushjen e “thasëve” përmes tenderëve publikë. Ashtu siç solli më herët Ëngjël Agaçin, Endri Fugën, Mirela Kumbaron, Blendi Gonxhen, Olta Xhaçkën, Pirro Vengun, Anila Denajn, Vlora Hysenin, Gent Cakajn, Besa Shahinin e shumë të tjerë, të cilët kanë kryer batërdi me fondet dhe pasuritë publike./Pamfleti