Nga Veselinoviç te Kërnaja/ Krahasimi i dy sezoneve, Partizani zëvendëson barazimet me humbjet
Triumfi i fundit në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, e ngjiti Partizanin në kuotën e 33 pikëve në vendin e pestë pas 24-javëve të para, një pozitë në të cilën të kuqtë mund të vendosin në “shënjestër” Dinamon që është vetëm tre pikë larg kryeqytetasve në vendin e katërt, pozicion ky që është një nga objektivat sezonal të “Demave”. Nga ana tjetër, Partizani është në një pozitë komode sa i takon edhe distancës me ekipet e fundtabelës, duke iu larguar disi vorbullës që sjell lufta e ashpër për mbijetesë.
Në fakt, 17-herë Kampionët e Shqipërisë kanë bërë shumë mirë në ndeshjet e fundit të kampionatit sidomos duke përfshirë këtu përmbysjen në Ballsh ndaj Bylisit 2-1 si dhe fitoren ndaj Tiranës 2-0 që janë edhe dy ndeshjet e fundit të Superiores për të kuqtë. Gjashtë pikë që e ngjiten goxha në klasifikim, por edhe në aspektin psikologjik skuadrën e drejtuar nga trajneri Oltijon Kërnaja. Megjithatë, nëse krahasojmë ecurinë e skuadrës me një sezon më parë, po pas 24-javëve të para në sezonin 2024-2025, kryeqytetasve iu mungojnë shtatë pikë.
Në të njëjtën periudhë të një sezoni më parë, Partizani kishte në klasifikim 40 pikë, si dhe renditej e treta, teksa në fund të kuqtë mundën edhe të bëheshin pjesë e “Final 4”. Nëse shohim shifrat, atëherë kolona e fitoreve si në sezonin e kaluar, si në atë aktualin pas 24-javëve të para, ishte nëntë, por ajo që bën diferencën janë ndeshjet e barazuara dhe të humbura. Nëse në sezonin e kaluar ndeshjet e humbura ishin vetëm dy të tilla, në këtë sezon, disfatat janë nëntë ndërsa edhe barazimet kanë diferencë. Kështu, në sezonin e kaluar pas 24- javëve të para, Partizani kishte regjistruar 13 barazime ndërsa në këtë sezon, të kuqtë kanë gjashtë të tilla.
Ndërkohë, sa i takon golave të shënuar dhe të pësuar, në sezonin e kaluar 2024-2025, Partizani kishte gjetur rrugën e rrjetës në 30 raste ndërsa kishte pësuar 25 gola. Sa i takon këtij sezoni, Partizani ka shënuar 23 gola dhe ka pësuar 28 duke qenë aktualisht me një bilanc negativ minus pesë deri në javën e 24-tërt. Statistika këto që reflektojnë edhe luhatjet e shumta të këtij sezoni që ia kanë vështirësuar shumë “jetën” të kuqve. Megjithatë, nga ana tjetër vlen të theksohet se skuadra e aktuale e Partizanit ka jo pak ndryshime në organikë nga ajo e sezonit të kaluar.
Ndërkohë, në këto statistika të këtij sezoni, sigurisht ndikon edhe starti jo pozitiv nga ana e “Demave”, që pas javës së gjashtë u detyruan të ndryshonin trajner duke shkarkuar serbin Milenkoviç, e afruar Oltijon Kërnajën. Nga nëntë humbjet në total përgjatë këtij sezoni, vetëm pesë i takojnë skuadrës që drejtohet nga Kërnaja, teksa ndeshjet në vijim ndaj Flamurtarit e më pas ndaj Egnatias e Dinamos në kampionat si dhe Elbasanit në Kupë, do t’i japin me siguri një drejtim më të qartë rrugës që do të marrë ky sezon për të kuqtë.
