Një studim i ri nga Universiteti Edith Cowan (ECU) dhe Instituti Danez i Kërkimit të Kancerit (DCRI) ka hetuar lidhjen mes marrjes së nitrateve dhe nitriteve nga burime të ndryshme dhe rrezikun për demencë.
Demenca është një sëmundje e ndërlikuar që ndikohet si nga gjenetika ashtu edhe nga stili i jetesës. Sipas dr. Nicola Bondonno-s, studiuese post-doktorale në Institutin për Inovacion në Ushqyerje dhe Shëndet (NHIRI) në ECU dhe në DCRI, edhe faktorët ushqimorë mund të luajnë një rol të rëndësishëm.
Studimi, i cili analizoi lidhjen mes burimeve të ndryshme të nitrateve dhe nitriteve dhe demencës së shfaqur më vonë ose herët, ndoqi mbi 54,000 të rritur danezë për deri në 27 vjet. Rezultatet treguan se burimi i nitrateve në dietë është shumë i rëndësishëm.
Studimi është botuar në revistën Alzheimer’s & Dementia.
Studiuesit zbuluan se njerëzit që konsumonin më shumë nitrate nga perimet kishin një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës. Ndërsa ata që merrnin më shumë nitrate dhe nitrite nga ushqimet me bazë shtazore, mishi i përpunuar dhe uji i pijshëm, kishin një rrezik më të lartë për demencë.
Profesoresha e asociuar në ECU, Catherine Bondonno, tha se marrja e nitrateve nga perimet është lidhur me një rrezik më të ulët për demencë, gjë që mendohet se lidhet me shndërrimin e nitrateve në oksid nitrik në trup.
“Kur hamë perime të pasura me nitrate, marrim edhe vitamina dhe antioksidantë, të cilët mendohet se ndihmojnë formimin e përbërjes së dobishme oksid nitrik dhe njëkohësisht pengojnë formimin e N-nitrosaminave, të cilat janë kancerogjene dhe potencialisht dëmtojnë trurin.
Ndryshe nga perimet, ushqimet me bazë shtazore nuk përmbajnë këta antioksidantë. Për më tepër, mishi përmban përbërës si hekuri heme, i cili mund të rrisë formimin e N-nitrosaminave. Mendojmë se kjo është arsyeja pse nitratet nga burime të ndryshme kanë efekte të kundërta në shëndetin e trurit, por nevojiten studime laboratorike për ta konfirmuar saktësisht,” tha ajo.
Kjo është hera e parë që nitratet nga uji i pijshëm lidhen me një rrezik më të lartë për demencë. Studimi zbuloi se pjesëmarrësit e ekspozuar ndaj nitrateve në ujin e pijshëm, edhe në nivele nën kufijtë aktualë ligjorë, kishin një shkallë më të lartë të demencës. Megjithatë, dr. Bondonno theksoi se ky është vetëm një studim dhe nevojiten kërkime të tjera.
“Uji nuk përmban antioksidantë që të bllokojnë formimin e N-nitrosaminave. Pa këto përbërje mbrojtëse, nitratet në ujin e pijshëm mund të formojnë N-nitrosamina në trup,” tha ajo.
Në Danimarkë dhe në BE, kufiri për nitratet në ujërat nëntokësore dhe ujin e pijshëm është 50 mg/L. Megjithatë, studiuesit vunë re një rrezik më të lartë edhe kur uji përmbante vetëm 5 mg nitrate për litër.
“Është e rëndësishme të theksohet se rezultatet tona nuk do të thotë që njerëzit duhet të ndalojnë së piri ujë. Rritja e rrezikut për individin është shumë e vogël, dhe uji i pijshëm është shumë më i shëndetshëm se pijet me sheqer si lëngjet apo pijet e gazuara. Por gjetjet tona sugjerojnë se institucionet rregullatore duhet të rishikojnë kufijtë aktualë dhe të kuptojnë më mirë si ndikon ekspozimi afatgjatë në nivele të ulëta në shëndetin e trurit.”
Ajo theksoi gjithashtu se ky është një studim vëzhgues, i cili nuk mund të provojë se nitratet shkaktojnë drejtpërdrejt demencë. Rezultatet duhet të konfirmohen nga studime të tjera dhe nuk përjashtohet që faktorë të tjerë në dietë ose stil jete të kenë ndikuar në këtë lidhje.
Sipas dr. Bondonno-s, përfundimi kryesor i studimit është i thjeshtë: njerëzit që konsumojnë më shumë nitrate nga perimet, që korrespondon afërsisht me një filxhan spinaq të vogël në ditë, kanë një rrezik më të ulët për demencë.
Nga ana tjetër, ata që konsumojnë më shumë nitrate nga ushqimet me bazë shtazore, veçanërisht mishi i kuq dhe mishi i përpunuar, kanë një rrezik më të lartë.
“Të hash më shumë perime dhe më pak mish të kuq dhe mish të përpunuar është një qasje e arsyeshme, bazuar në gjetjet tona dhe në dekada kërkimesh të tjera mbi ushqimin dhe shëndetin,” përfundoi ajo.