Nga Bledi Lumani
Pak muaj më parë, duke qenë se ishte verë dhe lajmet në këtë periudhë janë me pikatore, vendosa të ribotoja një intervistë të Ornella Mutti-t, në të cilën ajo fliste për marrëdhënien me Adriano Celentanon.
Qëllimi ishte tjetër në fakt.
-Shiko kur ta rimarrin dhe mediat e tjera dhe ta botojnë si lajm të ri, i thashë një kolegut tim në zyrë.
Intervista e aktores së njohur italiane ishte e vitit 2017.
Dhe pa kaluar pak orë, pas ribotimit, ajo u shfaq si lajm dite, në shumicën e mediave shqiptare, madje dhe në ato kombëtare.
Nuk bënë asnjë verifikim as kur ishte botuar intervista, as ku kishte folur Ornella Mutti, as nëse ishte e vërtetë si intervistë.
Kjo histori mu kujtua kur këtë të hënë, pashë një lajm se si aktori Arben Derhemi sulmonte Ermal Mamaqin për një deklaratë të tij lidhur me artistët e Kinostudios.
Lajmi është botuar në dhjetëra media (madje dhe tek TemA për një sekondë), me të njëjtin titull dhe me të njëjtin tekst.
Në lajm nuk shpjegohet asgjëkundi, se ku ka folur Ermal Mamaqi, që ka ofenduar artistët e Kinostudios, dhe as ku ka reaguar Arben Derhemi, si përgjigjie ndaj Mamaqit.
Dhe s’kanë si e shpjegojnë në fakt, se e kanë marrë copy paste nga njëri-tjetri, pa bërë asnjë verifikim.
Ky lajm ka fiks një vit që është botuar, pas një emisioni të Grida Dumës në “Top Story”, ku ishte ftuar ndër të tjera dhe Ermal Mamaqi, që ka bërë deklaratën e tij për artistët e Kinostudios, dhe që solli më pas reagimin e Derhemit në rrjetet sociale.
Pra lajmi i një viti më parë, risillet këtë të hënë, si lajm dite.
Solla vetëm këto dy shembuj, por kam me dhjetëra të tillë, për të treguar se në dorë të kujt kanë përfunduar mediat shqiptare.
Dhe pastaj ankohen, pse dikush i quan “kazan”!