Tirana është tronditur pasditen e kësaj të premte nga dy ngjarje të rënda që kanë shënuar një viktimë dhe një të plagosur rëndë. Egli Pashollari u vra me thikë gjatë një konflikti banal në zonën e njohur si Ish-Parku, ndërkohë që pak metra më tej është plagosur me armë një 34 vjeçar.
– Rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi Egli Pashollari, rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.
– Rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, dyshohet se gjatë një konflikti është plagosur me armë zjarri shtetasi Akil Koxharxhiku, 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Tiranës thotë se i ka identifikuar autorët e këtyre dy ngjarjeve, por të dhënat e tyre nuk bëhen me dije për shkak se hetimi vijon dhe ndërkohë po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Mirëpo, pavarësisht komunikatës zyrtare, Policia e Tiranës duhet të tregojë se territori ku kanë ndodhur të dyja ngjarjet është brenda një hapësire prej 700 metrash, 4 minuta larg nga Komisariati Nr.3 dhe në një nga zonat më të populluara.
Konkretisht, rreth orës 15:40, Egli Pashollari dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me thikë dhe për pasojë ka humbur jetën në spital. Zona është 4 minuta larg Komisariatit.
Newsbomb.al mëson se autori i ngjarjes te Ish-Parku është shtetasi Gazmend Buçpapaj.
Teksa salla operative ishte njoftuar për vrasjen dhe të gjitha shërbimet ishin në zonë, vetëm 300 metra më tej, në zonën e kompleksit “Delijorgji” është shënuar një tentativë për vrasje.
Rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, Akil Koxharxhiku dyshohet se gjatë një konflikti është plagosur me armë zjarri dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur 10 minuta pas vrasjes te Ish-Parku dhe 5 minuta larg Komisariatit Nr.2.
Newsbomb.al mëson se autori i ngjarjes te “Delijorgji” është shtetasi Besjan Ferazini.
Një dështim i këtyre shërbimeve për të mbuluar territorin në përgjegjësinë e tyre me policë, duke marrë parasysh sesa të populluara janë këto zona sot dhe jetën dinamike që zhvillohet në ambientet publike të shërbimit pranë tyre.