Doktori Argjend Tafaj, ka rrëfyer në “Health o’clock” mbi jetën personale dhe atë profesionale. Për rrugëtimin e tij në një karrerë 50-vjeçare në shëndetësi. Argjend Tafaj është një doktor në fushën e reumatologjisë, për artritin dhe osteoartritin.
Ai shpjegon fillimet aq të vështira për të hyrë në mjekësi, por jo vetëm, edhe sfidat në momentin që u bë kryefamiljar për partneren dhe fëmijët e tij.
“Mbarova Fakuletin e Mjekësisë dhe mora emërimin e parë. Fillimi mu duk shumë i vështirë, një djalë i ri me rezultate shumë të mira, me aspirata të tjera dhe për një moment të errësohet gjithçka, ku duhet të fillosh nga zeroja dhe vështirësitë. Më ngushëllonte diçka: Nuk isha vetëm unë, ishte i gjithë brezi.
Kam punuar në fshatrat e Elbasanit dhe kishte të tjerë që shkuan akoma më larg. Vizitat e para kanë qenë shumë të vështira. Përplasesh me të sëmurin, gra me lindje të vështira, nga sfida në sfidë.
Më tej, doktori shton se pas një periudhe kur kishte nisur dhe profesionin si mjek, ai takohet me gruan e tij, të cilën ai e ciëson si kollonën e fortë të familjes. Tafaj thekson në rrëfimin e tij se pavarësisht sfidave të jetës edhe për kohën që ishte atëherë, ata nuk hoqën dorë nga njëri tjetri.
“Me ato mundësi që kisha fillova ta kap veten. Shumë shpejt më erdhi dhe bashkëshortja edhe ajo mjeke gjithashtu, na erdhi dhe fëmija në jetë. Jetën familjare e kam filluar në moshën 25-vjeçare.
Situatë e vështirë, por po të më thonë a do ta bësh prap, asnjëherë, e pamundur. Ia kam bërë këtë pyetje vetes dhe kam thënë e pamundur. Është mosha, pasioni për profesionin, një edukim që kisha marrë nga familja, nga profesorët e mi. Mbi të gjitha jam borxhli gruas tim, Më ka mbështetur gjithë jetën. Unë dhe tre fëmijët e mi i jemi shumë borxhli asaj. Martesa, jetesa, familja kanë ato uljet dhe ngritjet e veta, por ajo ka qenë një kollonë shumë e fortë e familjes tonë. Në majë të malit ku unë isha, ishte shumë me vështirë të siguroje ushqim për vete dhe për fëmijët.
Nuk kishim frigorifer, televizor, një çift i ri i izoluar, shumë e vështirë si situatë. Kalohen të gjitha me durim, vullnet dhe duke ndihmuar njëri tjetrin”, u shpreh doktor Argjend Tafaj